PD denoncon: Rama mashtroi për ligjin e teatrit, Fusha shpk nuk ka pronë kufitare

PD denoncon: Rama mashtroi për ligjin e teatrit, Fusha shpk nuk ka pronë kufitare

Partia Demokratike publikoi sot dokumente që vërtetojnë se Kryeministri Rama ka mashtruar kuvendin për t’i dhënë kompanisë Fusha pronën publike në zonën e Teatrit Kombëtar.

Përmes një konference për shtyp, deputetja, njëkohësisht dhe kryetare e Komisionit të Edukimit dhe Kulturës, Albana Vokshi deklaroi:

“Kryeministri miratoi një ligj të jashtëzakonshëm që grabit pronën publike dhe ja jep atë kompanisë Fusha shpk, nëpërmjet të cilës do të fitojë të paktën 205 milionë euro me kullat që do të ndërtojë në zemër të Tiranës.

Argumenti kryesor, siç shkruan qeveria në shpjegimin e ligjit, është se propozimi i kompanisë Fusha për të ndërtuar tek Teatri u pranua për faktin se kompania ishte pronare kufitare me pronën e teatrit. Ky është mashtrim skandaloz që ju bëhet shqiptareve; i bëhet presidentit dhe komisionit evropian që e ka marrë në shqyrtim këtë çështje.

E vërteta është se Fusha shpk nuk është pronare kufitare me pronën e teatrit siç thotë qeveria në ligj. Kompania Fusha ka në pronësi të saj vetëm 298 metra katrorë dhe kjo pronësi nuk është kufitare me teatrin.

5522 metra katrorë të tjerë janë pronë e Teatrit Kombëtar që po grabitet dhe po i jepet kompanisë Fusha, 2100 metra katrorë janë në pronësi të Bashkisë Tiranë dhe vetëm 298 metra katrorë janë të kompanisë Fusha.”

Duke i bërë thirrje presidentit Meta të mos e dekretojë ligjin e veçantë i jep të drejtën e rizhvillimit të gjithë zonën për interesa të saj, kompanisë Fusha, Zonja Vokshi u shpreh:

“Edi Rama dhe kukullat e tij Veliaj e Kumbaro kanë gënjyer qëllimisht kuvendin. Kjo është një arsye e mjaftueshme që presidenti Meta të mos e dekretojë ligjin korruptiv Rama –Fusha. Mashtrimi i parlamentit me ligj është një fakt i mjaftueshëm për çdo prokurori të pavarur e të pa kontrolluar politikisht që të niste ndjekjen penale ndaj Edi Ramës, Erion Veliajt dhe Kumbaros.”

Bërja publike e dokumenteve nga Partia Demokratike vjen dy ditë pasi kreu i Hipotekës Valdrin Pjetri refuzoi të bënte publik përpara Komisionit të Edukimit dhe Kulturës, informacionin  lidhur me pronësinë e zonës ku ndodhet Teatri Kombëtar.

Megjithëse anëtarët e opozitës në komision këmbëngulën të mësonin se sa metra katrorë ka në pronësi Fusha shpk dhe nëse prona e saj është kufitare me pronën e Teatrit, siç pretendon Kryeministri Rama, zoti Pjetri nuk iu përgjigj pyetjeve.

Sot dokumentet e pronësisë bërë publike nga deputetja Vokshi hedhin poshtë pretendimet e Edi Ramës.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>