PD dhe LSI kanë kërkuar sot që Këshilli Politik të mblidhet brenda kësaj jave, të diskutohen propozimet e paraqitura nga opozita dhe përfundimin e reformës deri më 31 maj.
Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili ia dërguan sot këto kërkesa, Damian Gjiknurit dhe Rudina Hajdarit, përmes një letre.
Në këtë letër, opozita propozon mbledhjen e këshillit politik, ditën e dielë ose ditën e hënë, si dhe vendosjen e një kalendari të ri për përfundimin e reformës më 31 maj, përgjigjen e qeverisë për propozimet e opozitës dhe të anëtarëve të tjerë të Këshillit:
“Konfirmimin për të zhvilluar mbledhjen vijuese të Grupit të Punës së Këshillit Politik, ditën e diel, datë 10.05.2020, ora 11:00 ose ditën e hënë, datë 11.05.2020 ora 10:00, me këtë rend dite:
1. Riskedulimin e kalendarit të punës së Këshillit Politik, duke synuar përmbylljen e punës brenda datës 31 Maj 2020.
2. Vlerësimin e përfaqësuesve të maxhorancës mbi propozimet e deritanishme të opozitës të bëra në mbledhjet paraardhëse të Këshillit Politik.
3. Çështje të tjera të propozuara nga anëtarët e tjerë të Këshillit Politik”, shkruhet në letër.
Në letër theksohet se deklaratat për miratim pa konsensus të reformës zgjedhore kkanë për qëllim krijimin e pengesave politike për miratimin e reformës.