Partia Demokratike dorëzoi sot në orën 9 të mëngjesit listat përfundimtare të kandidatëve për deputetë. Afati për PD u shty dy herë nga KQZ për shkak të mos dorëzimit të listave të plota me 140 deputetë dhe mungesën e dokumentacionit të plotë.
KQZ pritet të miratojë sot listat dhe të hedhë shortin për renditjen në fletën e votimit.
Që prej mesnatës së 26 majit kur PD bëri publike listat e saj për kandidatë, disa kandidatë kanë vendosur të dalin nga gara.
Ramiz Çobaj, kryetari i PD-së Shkodër, i renditur i teti në po të njëjtin qark, vendosi të lërë garën për shkak të renditjes në një vend jofitues. Sipas zotit Çobaj, në listën e Shkodrës janë përfshirë emra që nuk kanë dhënë asnjë kontribut për Partinë Demokratike.
Në të njëjtin qark edhe pse i renditur në vend fitues, u largua nga gara dhe Helidon Bushati. Mësohet se në vend të tij, i katërti në Shkodër është vendosur Bardh Spahia që më parë renditej i gjashtë në po të njëjtin qark.
Bledi Himci, Sekretari i Përgjithëshm i PD-së Elbasan, u tërhoq nga gara në qarkun e Elbasanit. Ai renditej i teti, pra në një vend pothuaj të sigurtë humbës, duke qenë se në zgjedhjet e 2013-ës PD në Elbasan ka fituar vetëm katër mandate. Zoti Himci akuzoi kreun e PD-së Basha se ka futur në lista njerëz që nuk kanë asnjë lidhje e nuk kanë kontribuar asnjëherë në qarkun e Elbasanit d
Sulejmn Gjana, kryetari i Partisë Lëvizja e Legalitetit, deklaroi dje tërheqjen e tij nga gara. Sipas tij, renditja e tij në vend të katërt në qarkun e dibrës është fyerje nga PLL-së.
Sazan Guri, i renditur i pesti në qarkun e Beratit, po ashtu është tërhequr nga gara.
Në qarkun e Lezhës, në listat e dorëzuara më 26 maj, Preç Zogaj renditej i pesti, pozicion shumë i vështirë për tu fituar një mandat nga PD. Gjatë një intervistë zoti Zogaj e quajti renditjen një lapsus, duke lënë të nënkuptohej se ishte i pakënaqur dhe se i ishte premtuar ndryshe nga Kreu i PD-së.
Disa media bëjnë të ditur se në listat përfundimtare të dorëzuara sot në KQZ, ka ndryshim të renditjes në qarkun e Lezhës duke kaluar Preç Zogajn në një vend më të sigurtë.
Ndryshimet në listën e PD do të mësohen sapo KQZ të bëjë publike listat e përfunduara.