
Kandidati i Partisë Demokratike Isa Sakja ka fituar zgjedhjet për kryetar bashkie në Kavajë me një diferencë prej 28 votash me kandidatin e PS Dorjan Murati.
Murati fitoi 11,127 vota, ndërsa Sakja fitoi 11,155 vota. Maksim Kona, kandidati i LSI mori 1,960 vota.
Zgjedhjet për kryebashkiak në Kavajë u mbajtën pasi ish kryetari i PS-së Elvis Rroshi u shkarkua nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për shkelje të ligjit të dekriminalizimit.
Kavaja njihet si një prej bastioneve historike të së djathtës por prej gjashtë vitesh bashkia drejtohej nga Zoti Rroshi, që kandidoi nën siglën e Partisë Socialiste.
Kreu i PD Lulzim Basha, i cili ka paralajmëruar “ngrirjen” e funksionit të tij vetëm pak orë më parë, uroi “qytetarët e Kavajës për këtë fitore mbi krimin, korrupsionin dhe terrorin e bandave!”