
Partia Demokratike kërkoi të mërkurën shtyrje të vlefshmërisë së mjeteve të identifikimit të qytetarëve për zgjedhjet e 25 Prillit.
Në një letër dërguar ministrit të Brendshëm Bledi Çuçi , PD argumenton se kosto e papërballueshme dhe afati i shkurtër përpara zgjedhjeve, nuk i jep mundësi qytetarëve të rinovojnë dokumentet.
Si pasojë, shumë qytetarë nuk do të marrin pjesë në zgjedhjet e 25 prillit.
“Sipas informacioneve zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile janë në total 1,062,000 shtetas të cilët rrezikojnë të mos votojnë në datën 25 Prill 2021 për shkak së dokumenti i tyre i identifikimit ka skaduar apo skadon deri ditën e zgjedhjeve”, – thuhet në letër.
Partia Socialiste e shtyu afatin e vlefshmërisë së dokumenteve gjatë vitit 2020 për shkak të pandemisë.
Ndërsa për personat mbi moshën 75 vjeç kanë vendosur të mos e rinovojnë më dokumentet.