PD i kërkon qeverisë strategjinë për nisjen e vitit shkollor gjatë pandemisë

Nga Exit News
PD i kërkon qeverisë strategjinë për nisjen e vitit shkollor gjatë pandemisë

Partia Demokratike denoncoi të mërkurën vendimin e qeverisë Rama për hapjen e shkollave në shtator, si të nxituar, të papërgjegjshëm dhe të rrezikshëm për shëndetin.

Në një konferencë për shtyp, ish-deputetja Albana Vokshi deklaroi se qeveria ka marrë një vendim nxitur nga deklaratat e PD-së, por se në të vërtetë nuk ka asnjë plan apo strategji konkrete për zhvillimin e mësimit në kushtet e pandemisë.

Zonja Vokshi u shpreh:

“Ndonëse kanë mbetur më pak se 4 javë nga nisja e shkollave 2020-2021, qeveria nuk ka ende një udhëzim të detajuar, nuk ka një plan masash, nuk ka protokolle të sigurisë për mjediset dhe ambientet e shkollave.

Nuk ka as buxhet shtesë, nuk ka as investime për ujë të rrjedhshëm në çdo shkollë, as masa për dezinfektim të rregullt ditor, as masa për distancim dhe mësim me turne.”

Ish-deputetja i drejtoi një sërë pyetjesh qeverisë lidhur me nisjen e viti shkollor, të cilat sipas saj ministrja Shahini nuk i ka dhënë përgjigje, edhe pse kanë mbetur vetëm 4 javë nga nisja e mësimit:

  • Me sa turne do të zhvillohet shkolla dhe sa të gjata do të jenë orët e mësimit?
  • Sa nxënës do të ketë në çdo klasë?
  • Ndarja në turne dhe ulja e numrit të nxënësve në klasë do të kërkojë rritjen e numrit të mësuesve. A ka marrë qeveria masa për të shtuar numrin e mësuesve?
  • A do të marrë përsipër shteti garantimin e maskave e dezinfektantëve falas apo ato do të bien mbi familjet e nxënësve?
  • Si do të ruhet higjiena e ambienteve të shkollave për të parandaluar përhapjen e Covid-19?

Ish-deputetja Vokshi i bëri thirrje qeverisë që të publikojë sa më parë strategjinë e plotë të nisjes së mësimit, protokollet e sigurisë dhe të përmirësojë sa më shpejt infrastrukturën higjienosanitare në shkolla.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>