Partia Demokratike reagoi sot ndaj deklaratave të Kryeministrit Rama se në Shqipëri nuk ka oligarkë por ka vetëm sipërmarrës të pasur. Enkelejd Alibeaj në një postim në facebook, tregoi të gjitha ligjet e qeverisë Rama të miratuara në favor të oligarkëve.
“Ligjin e Korporatës së Investimeve për të shtetëzuar tokën dhe për t’ua dhënë privatëve për ndërtim ia diktoi një oligark. Ligjin e Investitorit Strategjik për t’u falur tokat në bregdet privatëve e bëri sipas porosisë së një okigarku.
Dhënien me Koncesion të rrugëve ia diktoi një oligark tjetër. Unazën e Re me 20 milionë euro kilometrin e bëri në favor të oligarkëve. Koncesionet në shëndetësi ua shpërndau oligarkëve”, shkroi Alibeaj.
Zoti Alibeaj tha se “gjithçka në qeverisjen e Edi Ramës është për oligarkët. Asgjë për qytetarët. Pandemia e provoi këtë sërish, prandaj na duhet ta largojmë kryeministrin e oligarkëve dhe të varfërisë së shqiptarëve”.