Përfaqësuesja e PD-së, Jorida Tabaku kallëzoi në Prokurorinë e Posaçme kundër Korupsionit (SPAK) kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj.
Përmes një deklarate për mediat, Tabaku njoftoi se Veliaj po kryen punime në njësinë 2 pa tender në periudhe zgjedhore. Ajo e akuzoi atë për krim zgjedhor.
“Sot kanë ardhur për të hedhur asfalt elektoral, me një kompani pa tender, me një kompani e cila nuk dihet kush është. Kanë ardhur këtu dhe kanë hedhur zhavorr ,siç po bëjnë në pjesën më të madhe të rrugicave të degës numër 2. Kjo rrugicë sot denoncohet dhe shkon në SPAK. Erion Veliaj, Florian Pullazi, kushdo tjetër që bën vepra të tilla penale, do të denoncohet për krimet elektorale”
Tabaku u shpreh se Veliaj e Rama nuk mund të gënjejnë qytetarët duke shtuar asfalt disa ditë para zgjedhjeve.
“Ta harrojnë se mund t’i blejnë votat në këtë mënyrë. Ta harrojnë se banorët e kësaj zone po të gjithë degës numër 2, do t’i votojnë. Unë takoj përditë qytetarë që janë të mërzitur me arrogancën e tyre, me këtë model qeverisje dhe nuk ofrojnë absolutisht asnjë mbështetje për qeverinë në ikje.”
Tabaku i bëri thirrje qytetarëve të votojnë Partinë Demokratike.