Partia Demokratike përsëriti akuzat ndaj ministres së Mbrojtjes Olta Xhaçka për abuzime me helikopterin e Forcave të Armatosura, gjatë fushatës elektorale të PS-së.
Në një konferencë për shtyp, ish-deputeti Gent Strazimiri tha se Xhaçka e ka përdorur helikopterin ushtarak, si taksi për të shkuar për mbledhje partie në Dibër, në qarkun ku e ka deleguar Edi Rama si drejtuese politike.
“Në vend që helikopteri të rrijë në gatishmëri për të marrë të sëmurë diku larg, Olta Xhaçka e perdor për të shkuar në Asamblenë e Partisë Socialistë në Dibër,” u shpreh Strazimiri.
Ai theksoi se ajo shpërdoruar detyrën dhe fondet publike, prandaj ajo duhet të ndiqet penalisht.
“Është fatkeqësi për këtë vend, që një mjet i tillë modern, me 27 vende në bord, që do të duhej të përdorej për operacione shpëtimi, për emergjenca apo misione stërvitore, të keqpërdoret nga një shoqe partie për të bërë mbledhje me personazhet kriminalë të dosjes 184,” shtoi ish-deputeti.
Strazimiri i bëri thirrje ministres që të japë shpjegime para qytetarëve shqiptarë për abuzimet me fondet publike dhe të japë sa më parë dorëheqjen.
Prej disa ditësh, PD ka bërë publike pamje dhe filmime për akuzat se ministrja e Mbrojtjes Xhaçka ka përdorur helikopterin e Forcave të Armatosura për të udhëtuar në Dibër për fushatën e Partisë Socialiste.
Ministria e Mbrojtjes ka hedhur poshtë akuzat dhe ka deklaruar se Olta Xhaçka e ka përdorur helikopterin “vetëm 4 herë në Shkodër, Dibër e Gjirokastër”, në vitin e fundit, në ato qarqe ku Forcat e Armatosuranë kanë struktura rajonale te mbrojtjes civile.