
Partia Demokratike do të ankimojë në Kolegjin Zgjedhor vendimin e Komisionit të Ankesave dhe Sanksioneve për qarkun e Korçës. Në një deklaratë për shtyp, të hënën, nënkryetari i PD-së, Edmond Spaho u shpreh se KAS ‘mbylli sytë para fakteve të vjedhjes së votave’.
“Shërbëtorët e Edi Ramës në Komisionin e Ankesave dhe Sanksioneve i mbyllën sytë para të vërtetës për të mbrojtur pushtetin e vjedhur të regjimit Rama-Doshi.”
Ai pohoi se vendimi i KAS për të mospërsëritur zgjedhjet në qarkun e Korçës i mohon qytetarëve të drejtën për transparencë mbi zgjedhjet e 25 prillit. Spaho njoftoi se PD do e ankimojë në Kolegjin Zgjedhor këtë vendim.
“Regjimi Rama-Doshi mund ta pengojë për pak, por ai nuk është i fuqishëm ta ndalojë transparencën për masakrën zgjedhore.Transparenca dhe drejtësia për 25 Prillin do të bëhet e plotë, do apo nuk do Rama dhe veglat e tij në KAS apo kudoqoftë”, përfundoi ai.