Partia Demokratike ka paditur, të premten, në SPAK Ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka dhe autoritetet ushtarake, të cilët i akuzojnë për manipulim të të dhënave të përdorimit të helikopterit ushtarak dhe shpërdorim detyre.
Pas dorëzimit të padisë, ish-deputetët Albana Vokshi e Gent Strazimiri dhanë detaje nga padia.
Sipas tyre, ministrja e Mbrojtjes Xhaçka ka shkelur ligjin duke përdorur helikopterin ushtarak për qëllime elektorale: për të vizituar qarkun ku është emëruar drejtuese e PS-së për aktivitete elektorale.
PD shprehet se kanë të paktën 8 data në dy muajt e fundit, që Xhaçka ka përdorur helikopterin për të shkuar nga Tirana në Dibër për aktivitete të PS-së.
“Në kohën që ministrja e Mbrojtjes, për pushtetin e Edi Ramës, abuzon me helikopterin, i cili kushton deri në 10 mijë euro për një udhëtim, nënat nuk ç’t’u japin fëmijëve për të ngrënë, nuk mundet t’i arsimojnë, mijëra prej tyre jetojnë akoma në çadra me kushte mizerabël, në varfëri ekstreme, nuk mund të përballojnë kurat dhe ilaçet, nuk mund të bëjnë një tampon,” u shpreh Vokshi.
Pak përpara deklaratave të PD-së, edhe ministrja Xhaçka ka njoftuar se ka paditur për shpifje përfaqësuesit e PD-së, Albana Vokshin, Xhemal Gjunkshin dhe Gent Strazimirin.
Prej disa ditësh, PD ka bërë publike pamje dhe filmime për akuzat ndaj ministres Xhaçka.