
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Alfred Rushaj përgëzoi të mërkurën deputetët socialist për tërheqjen nga mbajtja online e komisioneve parlamentare.
“Më vjen mirë që pati një kthesë në ligjshmëri dhe reflektim për të zbatuar ligjin dhe rregulloren nga drejtuesit e Partisë Socialiste” u shpeh Rushaj gjatë një prononcimi për gazetarët.
Ai shtoi se kjo nuk ishte fitore e PD-së, por zbatimi nga PS-ja i së drejtës së qytetarëve “për të dëgjuar përfaqësuesit e tyre politikë në Kuvend teksa diskutojnë për projektligje”.
Ai i konsideroi mbledhjet e ditëve të fundit në thyerje të rregullores dhe Kushtetutës.
Palët u përplasën mbi mbledhjet e komisioneve qysh javën e shkuar, ndërkohë që një ditë më parë gazetarët raportuan probleme me transmetimin online të mbledhjeve të komisioneve e censurim të opozitës. Kjo e fundit nuk e pranoi vendimin e Konferencës së Kryetarëve dhe u paraqit fizikisht.