Partia Demokratike theksoi sot përmes Sekretarit të Përgjithshëm, Gazment Bardhi, se militantët e saj nuk kanë lidhje me djegien e një KZAZ-je në Vaun e Dejës ngjarje për të cilën qeveria njoftoi se kishte shkarkuar kryebashkiakun Zef Hila. Vendimin për shkarkimin e këtij të fundit, PD e cilësoi “qesharake” dhe “antikushtetuese”.
Në një dalje për mediat Bardhi tha:
Partia Demokratike përsërit qëndrimin e saj të prerë se asnjë militant i saj nuk qëndron pas djegies së KZAZ-së në Vaun e Dejës. Tentativë e dëshpëruar e një regjimi të korruptuar dhe kriminal është sajimi i raportëve të rreme nga policia dhe ndalimi politik pa prova e pa fakte i njerëzve të afërt me kryebashkiakun e Vaut të Dejës.
Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj kërkoi sot shkarkimin e kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, Zef Hila, të cilin ai e ngarkoi me përgjegjësinë e djegjes së shkollës Ndre Mjeda në fshatin Bushat, ambientet e së cilës po përdoreshin nga KZAZ-ja nr. 6 për zgjedhjet e 30 qershorit. Sipas Ministrit personat që kryen sulmin ishin punonjës të Bashkisë së Vaut të Dejës. Pak pas kërkesës së tij, Kryeministri Edi Rama bëri publik në Twitter se e kishte firmosur shkarkimin.
Në lidhje me këtë rast, Sekretari i Përgjithshëm i PD-ës tha:
Tentativë e dëshpëruar e Edi Ramës kundër opozitës është akti sa qesharak, aq edhe banditesk, antikushtetues i gjoja shkarkimit të kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës. Zef Hila është në krye të detyrës, duke zbatuar ligjin dhe Kushtetutën e vendit. Aktet e pavlefshme të kryeministrit mik të kriminelëve më të rrezikshëm të vendit, janë tentatva të dështuara që kërkojnë të imponojnë paligjshmëri.