Partia Demokratike e ka quajtur marrëveshjen mes opozitës dhe qeverisë si arritje për opozitën, pasi në të janë reflektuar kërkesat e saj.
Megjithëse prej më shumë se një viti Partia Demokratike ka theksuar se nuk do të ulet në bisedime me Qeverinë Rama dhe në asnjë tavolinë ku merr pjesë Damian Gjiknuri, si dhe ka kërkuar arrestimin e këtij të fundit për krime zgjedhore, sot PD shprehet se ka arritur të detyrojë qeverinë të pranojë kërkesat e saj.
Në një njoftim për median, PD shkruan:
“Pas disa muajve rezistencë dhe pas presionit ndërkombëtar, Partia Socialiste ka rënë dakord që diskutimet kryesore për reformën t’i bëjë një grup pune me përbërje të barabartë prej 4 anëtarësh.
Përfaqësuesit e partive kanë rënë dakord për një tekst të përbashkët me 8 pika, ku janë reflektuar kërkesat e opozitës për ecjen përpara me reformën zgjedhore:
1. Miratim i reformës zgjedhore në mënyrë transparente, gjithëpërfshirëse, konsensuale mes partive politike.
2. Hartimi dhe diskutimi i reformës jashtë parlamentit në tryezën politike të partive.
3. Miratimi pa ndryshime nga komisioni dhe Parlamenti i produktit konsensual të tryezës politike.”
Kujtojmë se ky qëndrim është një kthim 180 gradë i Partisë Demorkatike dhe opozitës së bashkuar.
Nxjerrja para drejtësisë e Damian Gjiknurit ka qenë një nga kërkesat kryesore me të cilën Partia Demokratike organizoi protestat për rrëzimin e qeverisë Rama gjatë vitit të shkuar.
Largimi i Damian Gjiknurit nga drejtimi i Reformës Zgjedhore ka qenë një nga kushtet që PD paraqiti në muajin tetor si kusht për pjesëmarrjen e saj në bisedimet për Reformën Zgjedhore, kusht që tashmë duket se është harruar.