Partia Demokratike i kërkoi qeverisë të zbatojë planin me 5 pika të opozitës, dalë nga kriza e pandemisë COVID-19.
Në një deklaratë për shtyp grupi i ekspertëve për COVID-19 u shprehën:
Sot eshte koha që qeveria të marrë propozimet e PD dhe t’i zbatojë ato, sespe ato janë në të mirën e qytetareve. Duhet pa humbur kohë të merren këto masa shëndetësore të cilat janë të domosdoshme në periudhën që i paraprin hapjes:
1. Rritje të numrit të testimeve: test, test, test, identifikim, izolim e mjekim të çdo rasti. Kërkim të gjerë virusologjik e depistim imunologjik, duke mobilizuar të gjitha kapacitetet laboratorike, me rimbursim për qytetarët. Ndërkaq duhet përgatitur dhe për aplikimin e ekzaminimeve virusologjike mobile e të shpejta.
2. Pajisja masive gratis me maska të qytetareve, për të mundësuar mbajtjen e tyre në ambjentet publik duke i paraprirë kështu “hapjes”. Aktivizimi i plotë i mjekut të familjes, duke siguruar më parë mbrojtjen, pajisjen profesionale e logjistike të tij me instruktim të qartë.
3. Konsolidimin e strukturave mjekuese në nivel vendi, për t’i bërë ballë një rishpërthimi të mundshëm të ri gjatë procesit të “hapjes”, ashtu si po veprohet në vendet e tjera, duke mos ngelur sërish të papërgatitur për të nesërmen
4. Nga ana organizative të kalohet në një proces decentralizimi, duke deleguar kompetenca ne nivelet e 12 qarqeve, që nga ana e tyre duhet t’i shperndajnë më poshtë, për të shfrytëzuar kështu të gjitha kapacitetet dhe arritur të shkohet në çdo banesë e kontaktuar çdo individ.
5. Rritje e menjëhershme e buxhetit nga Qeveria në mbështetje të këtyre masave të domosdoshme dhe shumë të vonuara.
Ata e cilësuan qeverinë si të paaftë për tu përballur me krizën e COVID-19 dhe u shprehën se testimet janë të pamjaftueshme. Sipas grupit të ekspertëve kurba e infektimit është e ulët, sepse nuk ka testime të mjaftueshme.
Grupi i ekspertëve e akuzoi qeverinë se nuk bën transparencë në lidhje me metodën për testimet e personave të infektuar.