Partia Demokratike e Kosovës ka shprehur të martën gatishmërinë për të marrë pjesë në zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen në Kosovë.
Ushtruesi i detyrës së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj, tha se PDK e ka gati emrin e kandidatit që do të jetë në krye të listës zgjedhore.
Në një deklaratë për mediat, vendimin e Gjykatës Hoxhaj e konsideroi si të shpejtë.
“Vendimi i Gjykatës është ngjarje e shpejtë dhe ne nuk e kemi folur një temë të tillë në PDK. Por ne shumë shpejtë do të dalim me kandidatin që do t’i prijë listës. Në këtë kohe kemi pasur unitet të brendshëm”, tha Hoxhaj.
Ai kritikoi LVV dhe LDK, duke thënë se nuk kanë arritur të menaxhojnë pandeminë.
“Si PDK jemi të gatshëm për zgjedhje dhe të bindur se ne e ofrojmë programin e duhur për qeverisje. VV dhe LDK-ja kanë dështuar që ta menaxhojnë pandeminë, numri i vdekjeve është më i larti në rajon, vendi ka qenë më i izoluar se kurrë. Një Qeveri Hoti u dorëzua para Serbisë dhe hoqi dorë nga zgjerimi i sovranitetit të Kosovës. Të dy qeveritë i kanë cenuar raportet tona me shtetet mike dhe i kanë përçarë raportet me Shqipërinë”, ka deklaruar Hoxhaj.
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka kontstatuar që vota e deputetit, Etem Arifi, pro krijimit të Qeverisë Hoti, ka qenë e pavlefshme.
Vota e tij ishte vendimtare në formimin e qeverisë aktuale, i cili mori vetëm 61 vota në parlamentin me 120 vende, numri minimal i votave të kërkuara.
Vendimi i Kushtetueses rrëzon votimin e qeverisë Hoti pasi nuk sigurohet numri i mjaftueshëm i votave në Kuvendin e Kosovës.
Në këtë rast, vendi duhet të mbajë zgjedhje brenda 40 ditësh.