Studentë dhe pedagogë, pjesë e Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë (SPUSH), i kanë kërkuar Ministrisë së Arsimit të shtyjë zgjedhjet në universitetet publike, planifikuar për në 30 korrik.
Ata kërkojnë shtyrjen për në një në një kohë kur kushtet lejojnë zhvillimin e një procesi normal zgjedhor, pasi nëse zgjedhjet zhvillohen në 30 korrik, shumicës së studentëve i mohohet e drejta—e garantuar nga ligji për arsimin e lartë—për të votuar për Rektorin, Dekanin dhe përfaqësuesit e tyre në Senatin Akademik.
Duke i konsideruar zgjedhjet si një moment shumë i rëndësishëm për jetën universitare, sindikata shkruan, në letrën drejtuar ministrisë, se zhvillimi i zgjedhjeve në 30 korrik nuk mundëson as zhvillimin e një fushate normale, për shkak të pranisë ende të lartë të koronavirusit në vend.
SPUSH shkruan:
“Këto zgjedhje në kohë pandemie dhe në mungesë të studentëve në universitetet publike janë tërësisht formale sepse ato nuk krijojnë asnjë premisë e mundësi reale për konkurrim të ndershëm dhe të paanshëm.”
Në 30 qershor, ministria e Arsimit njoftoi se zgjedhjet për drejtuesit e universiteteve publike do të zhvillohen në 30 korrik, datë kjo kur shumica e studentëve, por dhe pedagogëve nuk janë më në shkollë.
Zgjedhjet në universitete ishin planifikuar fillimisht në datën 12 qershor, por për shkak të pandemisë së Covid-19, ato u shtynë.