Studentë dhe pedagogë të Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë nisën sot grevën e paralajmërur disa ditë më parë. Ata kanë vendosur të qëndrojnë në oborrin e fakultetit dhe të bojkotojnë mësimin, deri sa qeveria të plotësojë nëntë kërkesat e studentëve dhe ato të padagogëve.
Studentët kanë bllokuar dyert e fakultetit dhe kanë vënë litarë e drynë nëpër dyert e klasave.
Pedagogët e Filologjisë, tre ditë më parë, paralajmëruar nisjen e grevës pasi Vendimet e Këshillit të Ministrave, miratuar javët e fundit, për arsimin e lartë shkelin autonominë e universitetit. Për këtë arsye pedagogët kërkojnë anulimin e tyre dhe anulimin e Ligjit për Arsimin e Lartë.
Zëvendësdekani Agron Gjekmarkaj u shpreh se universiteti do t’i dërgojë t’i dërgojë VKM-të në gjykatë:
“Universiteti i Tiranës do i drejtohet Gjykatës Administratave për të rrëzuar VKM-të pasi cenohet autonomia [e universitetit], pasi nuk lejojmë që universiteti të merret në patronazh nga ministrat e Ramës siç bëri në shoë-in e radhës të Turbinës. Ligji ka kundërvënë strukturat duke paralizuar punën, duke mos pasur koordinim mes Senatit dhe Bordit, struktura që kontrollojnë njëra-tjetrën.”
Ndërsa pedagogu Mark Marku sqaroi se vendimet e KM-së cenojnë rëndë autonominë e universitetit:
“Në një VKM thuhet se qeveria do të prodhojë një statut-tip dhe mbi këtë bazë do ndërtohen statutet e tjerë. Çdo universitet ka statutin e vet. Ky është cënim direkt i autonomisë.”
Ndërkohë studentët jo vetëm në fakultetin e Histori-Filologjisë, por dhe tek ai i Drejtësisë dhe i Shkencave Sociale vazhdojnë ngujimin dhe bojkotin e mësimit deri në plotësimin e kërkesave.