
Pedagogët e Fakultetit të Histori – Filologjisë (FHF) vendosën sot të bojkotojnë mësimin, deri në fund të javës, e më pas bojkoti do të bëhet një herë në javë. Në mbledhjen e zhvilluar ditën e sotme, ata deklaruan se mbështesin protestën e studentëve dhe kërkojnë nga qeveria shfuqizimin e ligjit të arsimit të lartë.
“Në këtë javë u vendos të shpallet javë protestë dhe javën në vijim protesta të vazhdojë një ditë me kalendar. Si dhe ndërgjegjësimin e qytetetarëve për Arsimin e Lartë. Presim zgjidhje nga qeveria”, deklaroi Dekani Sabri Laci.
Deri më tani, vetëm pedagogët e Fakultetit të Shkencave Sociale i janë bashkuar protestës së studentëve. Asambleja e këtij Fakulteti, ditën e premte vendosi të hyjë bojkotojë mësimin pa afat deri në shfuqizimin e Ligjit të Arsimit të Lartë.
Studentët e Fakultetit të Drejtësisë, Shkencave Sociale, Historisë-Filologjisë dhe Politeknikut, vazhdojnë bojkotin e mësimit deri në plotësimin e kërkesave të tyre.