Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi bëri me dije të martën pasdite se ka urdhëruar evakuimin, për shkak të zjarreve, të fshatrave Asim Zeneli, Arshi Lengo dhe Krin në Gjirokastër.
Vendimi erdhi pas përhapjes së zjarreve në këto zona, që u bën shkak që një qytetar i moshuar të humbiste jetën.
“Kemi një humbje jete. Pra me pak fjalë duhet evakuim në fshatrat Krine, Asim Zenel dhe Arshi Lengo. Policia është në krye të punës. Ju bëj thirrje banorëve të mos rezistojnë dhe të largohen nga fshatrat,”- u shpreh Peleshi në një deklaratë për mediat.
Ai njoftoi se zjarret në Llogara ishin vënë nën kontroll dhe se helikopteri dhe forcat zjarrësikse, që punonte atje ishte zhvendosur tashmë në Gjirokastër.
Më herët, qeveria u kritikua nga opozita për marrjen e masave gjysmake për shuarjen e zjarreve, ditë të tëra pas ndezjes së vatrave dhe paralajmërimit të qytetarëve.
Vetëm një ditë më parë, Peleshi siguroi se zjarret ishin nën kontroll, duke shpërndarë një video propagandistike, së bashku me kryeministrin Rama të një helikopteri që shuante flakët nga ajri.
KLSH ndërkohë ka nisur një auditim të institucioneve përgjegjëse ku do të verifikojë tenderimet për pajisjet e zjarrfikësve si dhe hallkave të tjera të emergjencave civile, nëse përputhen fizikisht me ato që janë blerë si dhe mungesën e tyre gjatë operacioneve.