Si gjithmonë, kur është në hall Kryeministri Rama i kthehet dialogut si mjet shpëtimi për të dalë nga situata. E provoi këtë me studentët, duke kërkuar me këmbëngulje të ulet në tavolinë me ta, ndonëse nuk parashtronte asnjë platformë për zgjidhje. Po e provon të njëjtën gjë edhe me opozitën, kësaj rradhe duke shfrytëzuar edhe sfondin e ndërkombëtarëve, që prej kanë po këtë avaz, sa herë që ka probleme.
Në fakt, kjo ftesë për të folur është thjesht një show. Me apo pa kushte, dialogu kërkon fillimisht një predispozitë për t’u marrë vesh, gjë që Rama nuk e ka. Dialogu kërkon një objekt bisedimesh, të cilat mund të shtyjnë në një rrugë drejt zgjidhjes. Ndryshe kthehet në një spektakël llogjesh, në mungesë të vullnetit për një marrëveshje. Në këtë kuptim, pyetja ironike e Kryeministrit “kur do flasim?”, këmbehet me një kundërpyetje thelbësore: Për çfarë do të flasim?
Duke ftuar kundërshtarët të diskutojnë mbi situatën, Rama kërkon të shfaqet si një lider i pjekur, i durueshëm dhe tolerant (siç nuk ka qenë kurrë ndonjëherë), përkundër një opozite të dhunshme, të paarsyeshme dhe tekanjoze. Ai këmbëngul se dialogu, dhe jo bojkoti apo protestat, është mekanizmi për të zgjidhur problemet midis liderëve të arsyeshëm. Por ai nuk sqaron askund se çfarë rezultati pret të arrihet prej diskutimeve, ndërsa vijon të qëndrojë kokëfortë në qëndrimet e veta dhe, siç e pohon edhe vetë, nuk ka asnjë shans për marrëveshje. Dialogu paraqitet si qëllim në vetvete, jo si mjet në funksion të një dakordësimi.
Po, është e vërtetë se dialogu është një instrumentet i rëndësishëm në demokraci. Por ai nuk zhvillohet në mënyrë sporadike, sa herë që kryeministri është keq dhe vendi është në krizë. Demokracia kërkon dialog të përditshëm, i cili zhvillohet në institucione, ku palët kanë mundësi të rrahin pikëpamjet e tyre, për të pjekur politikat nëpërmjet të cilave shoqëria zhvillohet. Vetë parlamentarizmi, institucionet e pavarura, shoqëria civile, mediat, si dhe një sërë instancash që garantojnë ndarjen e pushtetit dhe kufizimin e rolit të qeverisë, janë mekanizmat që e mbajnë demokracinë në këmbë. Kur të gjitha këto janë kapur nga Kryeministri dhe ose janë shfuqizuar e shpërfillur me arrogancë, ose janë kthyer në instrument të vullnetit të tij dhe zgjerimit të pushtetit personal, atëherë dialogu është asgjësuar.
Dialogu si vlerë në vetvete nënkupton pikërisht një dialektikë që shtyn përpara të vërtetën, të drejtën dhe të mirën publike. Platoni ishte ndër të parët që e zhvilloi në këtë formë mendimin e tij, duke i ndërtuar veprat në formë dialogjesh, ku personazhet i kundërvihen tezave të njëri-tjetrin, derisa mendimi arrin nivelet më të larta. Dialektika është forca lëvizëse e diskutimit.
Në thelb demokracia ndërtohet mbi debatin publik, gjë që nënkupton një dialektikë që ka për qëllim të ruajë ekuilibrat e sistemit. Dialogu kërkon institucione dhe kjo presupozon jo thjesht të drejtën për të folur, por edhe përfshirjen në politikëbërje e, doemos, detyrimin e qeverisë për llogaridhënie dhe përgjegjësi. Nëse këto institucione nuk funksionojnë dhe nuk arrijnë të vendosin qeverinë përballë përgjegjësisë, atëherë dialogu ka dështuar, dhe për pasojë ka rënë mundësia për opozitarizëm.
Vetë akti i lënies së mandateve nga opozita, qoftë edhe si një vendim i paarsyeshëm vetëvrasjeje politike (siç përpiqet me çdo kusht ta shesë Kryeministri, në pamundësi të plotë të pranojë të vërtetat që rëndojnë mbi të), tregon pikë së pari se sistemi nuk ka funksionuar dhe këtu qeveria është përgjegjëse plotësisht. Dialogu është shkatërruar kur një sërë ligjesh, reformash, aktesh të rëndësishme që përfshijnë të dyja palët janë ndërmarrë në shpërfillje të plotë të opozitës. Ai u shkatërrua me reformën territoriale, me blerjen e votës, me zgjedhjen e prokurores së përgjithshme, me moshetimin e skandaleve, me kapjen e mediave etj. Mandatet nuk “u dogjën” brenda një dite, por pak e nga pak, në 6 vitet e instalimit të regjimit autokratik të Ramës.
Kthimi te dialogu vetëm pasi lind kriza është thjesht një farsë. Ai duhet të kish funksionuar në normalitetin e përditshëm dhe jo si një shkallë emergjence për të dalë nga kriza. Në këto kushte, dialogu ka për qëllim vetëm spektaklin, gjë që tregon se dialoguesi nuk ka interes për zgjidhjen. Rama e pohon me gojën e tij se duhet dialog dhe jo negociata. Ai pohon se po kërkon thjesht muhabet, pa synuar arritjen e ndonjë marrëveshjeje.
Natyrisht, Rama është i papredispozuar të bjerë dakort për asgjë. Një pushtet autokratik funksionon vetëm duke pasur në kontroll gjithçka, jo duke lejuar kushtet për një garë të barabartë. Kjo do të thotë se ai nuk mund të ofrojë asnjë lëshim dhe dialogu që ai kërkon është vetëm një litar kacavjerrjeje për mbijetesën e vet, por jo një ofertë për zgjidhje. Për këtë arsye opozita nuk ka sesi të pranojë të ulet në një tryezë bosh, derisa mbi të nuk ka një platformë konkrete. Ajo nuk mund të pranojë të luajë politikash me një kryeministër që kërkon vetëm të fitojë në kohë për të kaluar lumin.