Strehimi Social — Për çfarë na duhen strategjitë 10 vjeçare?

Nga Rezarta Caushaj
Strehimi Social — Për çfarë na duhen strategjitë 10 vjeçare?

Në vitin 2013, sipas të dhënave vetëm 20 për qind e atyre që aplikonin për kredi të buta përfitonin dhe vetëm 16 për qind e aplikuesve për bonuse qeraje.  Kjo, pa marrë parasysh numrin real të familjeve në nevojë për strehim social, që sot llogaritet të jetë rreth 70 mijë.

Për këtë arsye, qeveria e sapozgjedhur socialiste në 2013 premtoi se do t’i jepte problemit prioritet. Por, ajo që vërehet deri tani është se për këtë çështje janë prodhuar vitet e fundit dokumenta të njëpasnjëshme, të cilat pak a shumë nuk bëjnë tjetër veçse në pjesën më të madhe përsërisin njëri-tjetrin, të cilat nuk duket se kanë ndikuar në përmirësimin e gjendjes.

Kjo dëshmohet pikë së pari nga fakti se buxheti dedikuar strehimit ka mbetur pak a shumë në vlera të pandryshueshme që prej vitit 2012, megjithëse buxheti total është rritur. Vetë bashkitë kanë pranuar se problem kryesor mbetet mungesa e fondeve dhe investimeve nga pushteti qendror.

Me anë të vendimit numër 466 të datës 22.06.2016 Kryeministri Rama e reduktoi me 50 për qind ndihmën që buxheti i shtetit do t’u jepte bashkive për bonuset e qerave, 50 për qindshi i mbetur duhet të përballohej nga vetë qytetarët. Në të njëjtin vit, Bashkia e Tiranës është ankuar për moslëvrimin e fondit mbi programin e banesave me kosto të ulët.

Janë bërë dy studime mbi vlerësimin e nevojave për strehim nga Ministria e Zhvillimit Urban në bashkëpunim më UNDP në vitet 2014 e 2016, në bazë të të cilave u hartua edhe Strategjia për Strehimin Social 2016 – 2025, si dhe projektligji i ri i përgatitur këtë vit.

Problematika e parë e evidentuar në këto dokumenta ka qënë mungesa e statistikave pranë njësive të qeverisjes vendore. E ndonëse, kur erdhi në pushtet, qeveria e propagandoi si tregues të nivelit të dobët të menaxhimit nga administrata e mëparshme. Pesë vjet më vonë ende nuk ekzistojnë statistika publike as pranë bashkive, as pranë ish-Ministrisë së Zhvillimit Urban apo ish-Ministrisë së Mirëqënies, Punës dhe Çështjeve Sociale, as pranë Entit Kombëtar të Banesave, as pranë Agjensisë së Planifikimit të Territorit, as pranë ministrive të reja të Infrastukturës dhe Energjitikës apo Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Sipas, Strategjisë duhet të krijohet platforma online për regjistrimin e të dhënave mbi strehimin social brenda vitit 2018, por ende sot informacionet vazhdojnë të qendrojnë të fshehura në dokumente Exeli e Wordi nëpër bashki. Këto të fundit ende nuk kanë grupe pune të ngritura dhe punonjësit aktual kanë mungesë ekspertize e mangësi në kuptimin e legjislacionit. Dhe në mënyrë paradoksale, në të njëjtën periudhë që është parashikuar përfundimi i platformës online, është parashikuar edhe kalimi i Planeve të Veprimit pranë secilës bashki.

Në mënyrë të pashpjegueshme, ngritja dhe zbatimi i sistemit elektronik nëpër 61 bashkitë e vendit në një tjetër seksion të Strategjisë shtyhet deri në vitin 2021.  E megjithëse kjo pjesë i ngarkohet Ministrisë së Mirëqënies, Punës dhe  Çështjeve Sociale, në korrik të vitit 2017, Ministria e Zhvillimit Urban deklaroi se një grup pune po punonte për krijimin e platformës kombëtare elektronike për shërbimet sociale me fokus strehimin. Pra, ka një mungesë të qartë koherence midis ndarjes së kompetencave në letër dhe në realitet.

Si rrjedhojë e mbivendosjeve kohore dhe institucionale, ku nuk kuptohet kush ka çfarë përgjegjësie, një nga pasojat ka qënë që në studimin e vitit 2016 të Vlerësimit të Nevojave për Strehim bashkitë kanë deklaruar 5336 përfitues, por kjo shifër nuk korrespondon me listën e përfituesve sipas programeve që numëron 4638 përfitues apo listës sipas kategorive që nxjerr vetëm 3603.

Nuk ka arsye të mendohet se mospërputhjet kanë shqetësuar ish-Ministrinë e Mirëqënies, Punës dhe  Çështjeve Sociale, e ngarkuara me shpërndarjen e banesave sociale.

Me riorganizimin e kabinetit qeveritar dhe shkrirjen e ministrve të vjetra, këto e plotë mangësi të tjera vetëm do të thellohen nëse nuk përpilohet së shpejti një ligj, i cili përcakton kompetenca e institucione  të qarta në mbarëvajtjen e programeve të strehimit.

Mungesa e të dhënave u mor vetëm si shembull ilustrues, por ka problematika shumë më thelbësore që presin zgjidhje, si:

  • Procedurat kredituese nga bankat
  • Mungesa e specialistëve – përsonat e punësuar shpesh nuk njohin bazën ligjore apo programet e ofruara nga qeveria për strehim.
  • Mungesa e informimit të qytetarëve në lidhje me programet e strehimit
  • Mosbashkëpunimi dhe mungesa e interesimit nga ana e donatorëve
  • Mungesa e fondeve për mbulimin e bonusit të qirase së strehimit nga ana e bashkive
  • Sistemi i ndryshëm i pikëzimit nëpër bashki
  • Mungesa e transparencës apo ndryshimet e pajustifikuara të sistemit të pikëzimit për shkak të abuzimeve etj.

Adresimi i tyre do duhet të fillojë pikërisht nga angazhimi për zbatimin e strategjive afatëshkurtra e afatëmesme.

Por duke ballafaquar dokumentet startegjike orientuese me përpjekjet që janë bërë për jetësimin e tyre, ngrihet pyetja se përse qeveria investon në studime, strategji  e projektligje, konferenca, dëgjesa fiktive, burime njerezore e financiare, kur ajo nuk ka aspak ndërmend t’i zbatojë ato? Kur të gjitha udhëzimet janë të anullueshme me një VKM të thjeshtë?

Kur dihet që administrata jonë, si në nivel lokal edhe qendor punon në bazë të direktivave patriake apo interesave personale të krerëve të institucioneve si dhe mbetet e prekur ndaj fenomeneve të favorizimit për shkak të lidhjeve nepotike apo korrupsionit?

Kur zbatimi i një programi shpërndahet mes kaq shumë instancave, sa llogaridhënia bëhet e pamundur?

Kur vazhdimisht programet e strehimit, ashtu si edhe politikat e legalizimit të banesave janë përdorur si instrumenta për shpërblimin e militantëve?

Kur mungesa e vëmendjes ndaj shtresave sociale në nevojë reflektohet direkt në injorimin e tyre në diskutime projektbuxhetesh?

Kur pretendohet për një reformim tërësor të gjithë sistemit të ndarjes së banesave ndaj të pastrehëve, por pa u shoqëruar me një rritje substanciale të fondeve të nevojshme, për cfarë na duhen strategjitë 10 vjeçare?!

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>