Për ty që çdo ditë më sheh nga shtëpia, për ty që ndodhesh para atij ekrani të vogël çdo mbrëmje, për ty që dilemat të kanë pushtuar prej kohësh, ty nga Sheshi i Teatrit Kombëtar dua të t’i them dy fjalë.
E di se ndihesh i turbullt dhe i çoroditur. Ashtu ndihem edhe unë. Mos harro se jetoj në të njëjtin qytet me ty, përshkoj të njëjtën rrugë dhe i përjetoj njësoj si ti ngjarjet e papërsëritshme të këtij vendi.
E di se çdo herë që përballesh me imazhin e atyre që nuk na përfaqësojnë në Parlamentin Shqiptar , mendon se ata nuk janë gjë tjetër veçse një Vëllazëri Vesi . E mendoj edhe unë.
E di se brenda mendjes tënde vërtitet ideja për t’u larguar nga ky vend. Për të bërë gati valixhet, për t’u përshëndetur me ata pak njerëz që vërtet i ke përzemër dhe për të mos u rikthyer më kurrë. E njëjta ide vërtitet edhe në mendjen time.
E di se shpesh herë shumë e gjatë të duket dita dhe veçse një çast i shkurtër nata. Edhe mua hera-herës ashtu më duket.
E di se që kur ke filluar të gërmëzosh fjalët e para, që kur ke filluar të hedhësh hapat e parë, që kur ke filluar të lexosh , të vraposh dhe madje edhe të dashurosh , e ke dëgjuar shpesh këtë fjali të mërzitshme që duket se ka zënë rrënjë thellë në ndërgjegjien e këtij kombi- Ne e meritojmë fatin e keq.
Por vallë pse e meritokemi fatin e keq?! Mos vallë kemi lidhur kontratë me Jetën për të jetuar keq, për t’u qeverisur keq e së fundmi për t’u ndjerë keq?!
Nuk jemi Populli më i mirë në Botë, por nuk jemi as Populli më i keq në Botë.
Jemi të zhgënjyer dhe për fat të keq edhe të bindur se e Mira nuk na përket.
E di se dyshimi të mbërthen dhe t’i mpin gjymtyrët dhe mbetesh peng i divanit , teksa sheh një Politikan-Qytetar në këtë Shesh. Edhe mua më vriten sytë dhe besomë kur të them se prania e një Politikani – Qytetar nuk është e dendur në këtë shesh sepse ka sy që e gjykojnë dhe veshë që nuk e besojnë.Ka disa të vërteta që thuhen me sy dhe rrinë pezull në ajër. Dhe kjo është njëra prej tyre.
E di se pyet veten se ç’mund të bëjë një njeri më shumë ose më pak në këtë shesh?! E pyes edhe unë veten.
Por a nuk beson ti se ka ardhur koha të rritemi?!
Dhe të rritesh do të thotë të mos i zhvendosësh përgjegjësitë e tua tek dikush tjetër.
Të rritesh do të thotë mos të lejosh dikë ta marrë të mirëqenë lirinë tënde, fjalën tënde, pronën tënde, dinjitetin tënd dhe së fundmi edhe votën tënde.
Të rritesh do të thotë të protestosh përmes fjalës dhe kurrë përmes dhunës. Të protestosh përmes ligjit dhe jo përmes dhunimit të Kushtetutës. Të protestosh jo për të rrëzuar një Qeveri dhe për të ngritur një tjetër në fuqi ,por për t’i përcjellë një mesazh të vonuar kujtdo që është apo do të vijë në pushtet:
Shqipëria nuk i përket vetëm një Shqiptari, Shqipëria i përket të gjithë Shqiptarëve. Unë mund të bëj gjithçka për ty, por nuk mund të protestoj në emrin tënd. Prania jote është protesta jote dhe besomë kur të them se ka gjasa që Mungesa jote të ndihet më shumë se Prania e kujtdo tjetër.
Të pres sonte në Sheshin e Teatrit Kombëtar në orën 19.00.
Post scriptum- Merr një çadër me vete. Mund të bjerë shi.