Mbi 1900 hektarë tokë janë përmbytur në Bashkinë Shkodër, si pasojë e reshjeve të ditëve të fundit.
Deri më tani asnjë familje nuk është evakuuar, pavarësisht se janë në gatishmëri rreth 300 shtretër, për çdo emergjencë.
Në një përditësim të situatës, Bashkia njoftoi se rruga për në fshatin Obot vazhdon të jetë e bllokuar pasi niveli i ujit është mbi 80 centimetra.
Për shkak të nivelit të lartë të ujit, Ujesjellesi Oblika 1 është jashtë funksionit, duke lënë pa ujë të pijshëm Oblikë.
Bashkia ka shpërndarë ujë dhe misër për bagëtitë tek 70 familje të fshatit. Ndërkohë rreth 300 pako ushqimore po bëhen gati për tu shpërndarë tek familjet e përmbytura.
Lidhur me situatën e akseve rrugore, bashkia njoftoi se:
– Ka shkarje dherash në rrugën Baks –Rrjoll;
– Për shkak të rritjes së nivelit të ujit është bllokuar segmenti në vendin e quajtur Urrelat që lidh fshatërat Shirq me Darragjat;
– Vazhdon gërryerja e tokës bujqësore nga lumi Drin në vendin e quajtur Harku i Bërdicës, fshati Bërdicë e Sipërme;
– Vazhdon gërryerja e tokës bujqësore nga lumi Kir në vendin e quajtur Bardhaj, fshati Bardhaj.