Përfaqësuesi i FMN-së kritikon politikat klienteliste tatimore të qeverisë

Përfaqësuesi i FMN-së kritikon politikat klienteliste tatimore të qeverisë

Politikat e taksave të qeverisë Rama janë ndikuar nga bizneset dhe interesat private. Kështu është shprehur përfaqësuesi i përhershëm i FMN-së Jens Reinke në një intervistë për Revistën Monitor.

Reinke mendon se të paktën disa taksa dhe proçedura janë ndryshuar më qëllimin e vetëm për të favorizuar biznese apo interesa të caktuara. Ndërkohë, për të kompensuar këto efekte negative në të ardhura, janë përshtatur taksa të tjera që rëndojnë bizneset në përgjithësi.

Edhe pse, Reinke e ka quajtur këtë gjë në mënyrë diplomatike “lobim shumë i suksesshëm” i grupeve të caktuara, por në fakt bëhet fjalë për klientelizëm të pastër të qeverisë për të favorizuar disa nga klientët e saj kryesorë. Në fakt, ndryshimet e disa taksave dhe tarifave specifike nga qeveria, në paketat fiskale të tre viteve të fundit, kanë ngjallur kritika publike. Rasti më i fundit ishte ai i propozimit të rritjes së akcizës së pijeve alkoolike të prodhuara në vend që favorizon haptazi importuesit në kurriz të prodhuesve vendas. Qeveria nuk ka paraqitur asnjëherë ndonjë argument të arsyeshëm ekonomik apo social për këto politika slektive fiskale.

Në intervistën e tij, Reinke ka lënë të nënkupthet se ka dyshime për mënyrën e zbatimit të, së ashtuquajturës, reformë kundër informalitetit duke theksuar se “të ardhurat tatimore do të përmirësohen në afat të mesëm, duke supozuar se masat anti-informalitet do të jenë të vazhdueshme dhe do të zbatohen në mënyrë transparente dhe të paanshme.”

Qëndrimi i përfaqësuesit të FMN-së mbi perspektivën ekonomike të vendit ka qenë gjithshtu i rezevuar dhe shumë i kujdesshëm, në kontrast të qartë me optmizmin e zakonshëm publik të qeverisë. Reinke u shpreh se rritja ekonomike në shifrat e parashkuara nga qeveria në afat shkurtër—3 për qind deri 3,5 për qind në vit—është e pasigurt dhe ka më shumë gjasa të jetë më e vogël se sa më e madhe.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>