“Korrupsioni dhe kriminaliteti vazhdojnë të jenë pengësë për zhvillimin e Shqipërisë. […]një ish-ministër i brendshëm – i cili tani është anëtar i Parlamentit – është implikuar në Itali për mbështetjen e trafikantëve të drogës”, u shpreh sot në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së në Vienë, Harry Kamian, përfaqësuesi i SHBA-ve në OSBE.
Reagimi i përfaqësuesit amerikan ishte përgjigje ndaj raportit të ambasadorit të OSBE-së në Shqipëri Bernd Borchardt.
Përveç përfshirjes së ish-ministrit Tahiri në çështjen Habilaj, Zoti Kamian përmendi dhe të tjera probleme të vendit, e veçanërisht ato gjatë zgjedhjeve të përgjithshme të 25 qershorit:
“Prokurorët në Tiranë po hetojnë aktualisht më shumë se 3,000 raste të punësimeve ose shkarkimeve partiake gjatë periudhës së fushatës zgjedhore 2017, një shqetësim që është ngritur edhe nga ODIHR. ODIHR raportoi gjithashtu se Shqipëria nuk arriti të plotësojë shumë nga rekomandimet e ODIHR dhe Komisionit të Venecias të Këshillit të Evropës nga viti 2013 dhe 2015, duke përfshirë nevojën për depolitizimin e aspekteve kyçe të administratës zgjedhore.”
Duke folur për zgjedhjet, zyrtari amerikan përshëndeti fillimin e bisedimeve për reformën zgjedhore në kuvendin shqiptar.
Në mbyllje të fjalës së tij, Zoti Kamian, duke përgëzuar OSBE-në për punën në Shqipëri, ofroi vazhdimin e bashkëpunimit mes institucioneve ndërkombëtare si një prej mundësive për të luftuar kriminalitetin dhe paligjshmërinë në Shqipëri.