Partia Demokratike ka përfunduar analizën e saj mbi rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit.
PD ka gjetur se në qarqet Berat, Dibër, Elbasan, Fier, Kukës, Korçë, Lezhë dhe Vlorë rezultati i saj ka qenë brenda pritshmërive.
Qarqet që nuk e kanë arritur objektivin janë Durrësi, Gjirokastra, Shkodra dhe Tirana.
Sipas PD, fajin për humbjen në zgjedhje e kanë ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor dhe përdorimi i administratës për të blerë vota.
Pikat kryesore të analizës janë si më poshtë:
- PD vlerëson se ka arritur rrezultatin maksimal në qarkun e Dibrës, Elbasanit dhe Kukësit. Në Dibër PD mori 3 nga 5 mandate, në Elbasan 6 nga 14 ndërsa në Kukës 2 nga 3.
- Në qarkun e Beratit, Fierit, Korçës, Lezhës dhe Vlorës sipas PD është arritur minimumi i pritshmërive.
- Qarqet që vlerësohen se nuk kanë arritur objektivin minimal janë Durrësi, Gjirokastra, Shkodra dhe Tirana. Në Durrës PD fitoi 6 nga 14 mandate, në Gjirokastër 1 nga 4, në Shkodër 5 nga 11 dhe në Tiranë 15 nga 36.
- Në qarqet Berat, Dibër, Elbasan, Fier, Kukës, Korçë, Lezhë dhe Vlorë, PD thotë se rezultati ka qenë brenda pritshmërive të rezultateve historike ndërsa në Durrës, Gjirokastër, Shkodër dhe Tiranë rezultati ka qenë nën pritshmëritë historike. Për të vlerësuar performancën PD ka krahasuar rezultatin e 2021 me rezultatin në zgjedhjet e 2009.
- Sipas PD, heqja e koalicioneve parazgjedhore uli performancën e koalicionit opozitar sepse jo të gjitha partitë pjesëmarrëse kishin mundësi të kishin kandidatë në lista meqenëse numri i tyre ishte i kufizuar në 154.
- PD vlerëson se partia në pushtet shpërdoroi administratën dhe financat shtetërore për të intimiduar, blerë dhe deformuar vullnetin e zgjedhësve
- Në përfundim, PD thotë se do të punojë më shumë në qarqet Berat, Durrës, Fier, Gjirokastër, Shkodër, Tiranë dhe Vlorë pasi mendon se aty ka mundësi reale për mandate shtesë ndërkohë në Elbasan, Korçë dhe Lezhë puna do të përqendrohet më shumë në ruajtjen e mandateve aktuale.