
Në përfundim të protestës së opozitës, kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha shprehu vendosmërinë për të mos shkuar në zgjedhje me Edi Ramën Kryeministër:
“Kush nuk e ka kuptuar le ta kuptojë mirë dhe qartë, zgjedhje me Edi Ramën nuk do të ketë. Pakt me Maduron e Ballkanit nuk do të ketë. Kjo beteje ka nisur për çdo shqiptar, për të çliruar Shqipërinë nga qeveria e krimit.”
Zoti Basha tha se asnjë prej qytetarëve nuk po proteston për javë me radhë për pushtet personal, por për t’i dhënë fund qeverisjes së Ramës dhe bandave të drogës:
“Kjo qëndresë ka nisur për t’i kthyer qeverisjen çdo shqiptari dhe nuk do ndalet deri sa ta bëjë realitet. Askush në këtë protestë, askush në këtë kryengritje demokratike popullore nuk është këtu për karrige, për pushtet dhe aq më pak për pazare por për t’i dhënë fund njëherë e mirë pazareve në kurriz të popullit, qytetarëve, demokracisë, lirisë.”
Basha ftoi qytetarët në protestën kombëtare të 13 prillit.
Qindra qytetarë protestuan sot përpara parlamentit, për të shtatën herë në javët e fundit.