Treshja Rama-Basha-Meta ka rënë dakord për të negociuar për arritjen e konsensusit për reformën në drejtësi nisur nga varianti hibrid i propozuar nga Ndihmës Sekretarja e Shtetit Viktoria Nuland.
Për këtë qëllim, secila palë ka caktuar nga një përfaqësues: Engjëll Agaçe (PS), Oerd Bylykbashi (PD) dhe Ylli Manjani (LSI).
Kryeministri Rama gjatë një fjalë para disa anëtarëve të rinj socialistë ka deklaruar se Partia Socialiste është e bashkuar për të votuar ndryshimet kushtetuese. Ai ka pohuar, gjithashtu, se është plot shpresë se të enjten do të jenë 94 vota pro reformës.
Ndërkohë Zoti Rama është i shprehur se është i gatshëm të pranojë “çdo propozim dhe zgjidhje që ofron PD me kusht që zgjidhja në fjalë të konsiderohet zgjidhje dhe jo zgjedhë nga ndërkombëtarët.”
Zoti Rama ka kritikuar drejtuesit e PD-së dhe LSI-së duke vënë në dyshim nëse ata përfaqësojnë vullnetin e popullit. Ai e ka cilësuar reformën në drejtësi si “revolucion” dhe reformën më të rëndësishme të këtyre 25 viteve të fundit që do të vendosë për të ardhmen e Shqipërisë.
Nga ana e tij Kryetari i PD-së Lulzim Basha ka përsëritur qëndrimin e PD-së se drafti hibrid duhet të sillet në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias.