Kryeministri Rama ka përfunduar takimin me kryeministrin grek Kyriakos Mitzotakis.
Përmes një postimi në Twitter, Rama falenderoi Mitzotakisin për mikëpritjen, por nuk dha detaje për temat e biseduara.
“Falenderues për shijen e shkëlqyer të mikpritjes në shtëpinë e kryeministrit Mitsotakis, ku bëmë një bilanc të situatës me Covidin, marrëdhënies mes dy vendeve tona dhe problematikave rajonale!
Vullnet i plotë për ta zhvilluar bashkarisht më tej këtë marrëdhënie strategjik,” shkroi Rama.
Teksa pritej që temë e bisedës të ishte dhe çështja e detit, as Rama dhe as Mitzotakis nuk kanë reaguar për këtë.
Vizita e Ramës në Greqi vjen menjëherë pas asaj në Turqi, ku firmosi, ndër të tjera, me presidentin Erdogan dhe marrëveshjen për ngritjen e Këshillit për Bashkëpunim të Nivelit të Lartë mes Shqipërisë e Turqisë.
Po ashtu, vlen të theksohet se Greqia dhe Turqia prej disa muajsh kanë shkëmbyer akuza dhe kërcënime për sa i përket konfliktit për ndërhyrjet e Turqisë në ujrat grekë.