Përgjigjja e kompanisë Kastrati për një artikull të Exit.al

Përgjigjja e kompanisë Kastrati për një artikull të Exit.al

Pak ditë më parë, Exit.al publikoi artikullin “Koncesioni i Rrugës së Kombit: drejtuesi po gjykohet për vdekjen e 40 udhëtarëve në Itali.”

Më poshtë po japim të plotë përgjigjen e kompanisë Kastrati, bashkëpronare e koncesionit të Rrugës së Kombit, ndaj artikullit të Exit.al.

“Të nderuar editorë të portalit Exit.al,

Kompania ‘Kastrati” synon t’iu paraqesë qëndrimin e saj në lidhje me artikullin e publikuar prej jush me titull: “Koncesioni i Rrugës së Kombit: drejtuesi po gjykohet për vdekjen e 40 udhëtarëve në Itali”.

Artikulli juaj vendos theksin, ndër të tjera, në emërimin e administratorit të kompanisë koncensionare “Albanian Highway Concession” të zotit Nicola Spadaveccia dhe lakon emrin e administratorit Spadavecchia në kontekstin e një aksidenti të rëndë të ndodhur në Itali në vitin 2013.

Dëshirojmë t’iu informojmë se nuk ekziston asnjë urdhër administrativ shtetëror apo vendim gjyqësor i formës së prerë, që mund të pengojë ushtrimin e aktivitetit profesional për zotin Spadaveccia.

Çështja në të cilën ju përmendni zotin Spadavecchia, po gjykohet aktualisht në shkallën e parë të gjykimit, nga tre shkallë gjykimi që aplikon shteti Italian.

Ekspertiza autoteknike e realizuar në Itali mbi aksidentin e vitit 2013, zbuloi se shkaku i aksidentimit me pasoja të rënda të autobusit lidhej me degradimin e sistemit të frenimit të këtij automjeti, dhe në gjyqin që po zhvillohet në shkallën e parë, përtej pretendimeve të prokurorisë italiane, pala mbrojtëse ka ofruar dëshminë e disa inspektorëve dhe gjeometërve të përfshirë në procesin e kontrollit të barrierave në vitin 2009, të cilët dëshmojnë se kontrollet e barrierave në vendngjarje janë kryer rregullisht sipas një procedure standard të verifikimit në terren.

Disa konkluzione të ekspertizës teknike në lidhje me amortizimin e elementëve lidhës së këtyre barrierave të cilat u paraqitën nga prokuroria, u ballafaquan në gjyq me shpjegimet e palës mbrojtëse dhe punonjësve të kompanisë autostradale të cilët shpjeguan se procesi i verifikimit të gjendjes së barrierave në terren (i kryer në vitin 2009) në disa segmente të rrugës mundëson vetëm inspektimin të pjesshëm për shkak të pozicionimit të barrierës dhe hendekut të lartësisë në njërën anë të saj.

Por pa dashur të ballafaqojmë detaje teknike të cilat janë objekt shqyrtimi nga një gjykatë e shkallës së parë, ju lutem konsideroni se është vërtetuar shkencërisht mos funksionimi i sistemit të frenimit të autobusit, ndërsa procesi i verifikimit/riparimit/zëvendësimit të barrierave po ballafaqohet me prova dhe dëshmi sfiduese të ofruara nga punonjës dhe ekspertë të kompanisë austradale që menaxhonte aksin në periudhën kur ndodhi aksidenti.

Informacionet që ju keni ofruar në artikullin tuaj, në mënyrë të njëanshme kanë paraqitur pretendimin e prokurorisë italiane, por lehtësisht në internet mund të siguroni dhe raportime mediatike që referojnë argumentet e shpalosura në gjyq nga pala mbrojtëse.

Gjyqi që po zhvillohet në Itali është kompleks dhe motivet e e tragjedisë që shkaktoi aksidenti nuk mund të faturohen me raportime mediatike, për sa kohë që palët në gjyq po bëjnë një betejë të specializuar teknike, mbi detaje tepër të rëndësishme   që lidhen sidomos me procedurën e verifikimit të barrierave.

Gjykimi i çështjes, jo më kot ka tre shkallë.

Vetëm një vendim i formës së prerë mund të jetë referencë absolute ligjore.

Shpresojmë që të keni parasysh çfarë ju përcollëm më sipër në lidhje me zotin Spadaveccia dhe çështjen në gjykim në Itali, ju lutemi të mos paragjykoni apriori qëllimet e kompanisë Kastrati  në zgjedhjen e administratorit të koncensionit të Kalimashit.

Kalibri i kualifikimit profesional, përvoja  dhe korniza ligjore janë tre elementët që orientojnë zgjedhjen e një administratori apo menaxheri kompanie.

Në lidhje me aspektet e tjera objekt i artikullit tuaj, kompania Kastrati rikonfirmon se dhe për procedurat e kontratës koncensionaretë Kalimashit të përmendura në artikullin tuaj, është zbatuar çdo hallkë ligjore nga ana e kompanisë tonë.

Ju urojmë punë të mbarë.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>