Perimetri i Aeroportit dhe Vija Mazhino

Nga Ermal Mulosmani
Perimetri i Aeroportit dhe Vija Mazhino

Pas përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Franca, e cila ishte në palën fituese, filloi të ndërtonte një vijë të jashtëzakonshme fortifikatash me bunkerë e pengesa të pakapërcyeshme gjatë gjithë kufirit me Gjermaninë. Vija mori emrin e ideatorit të saj, ministrit francez të Luftës, Andre Maginot (Mazhino).

Aq e fortë ishte bindja e francezëve që kjo vijë ishte e pathyeshme, saqë aty lanë kryesisht rezervistë dhe u përqendruan në veri. Por Gjermania i sulmoi pikërisht në pikën e saj më të fortë dhe e zhbëri vijën Mazhino sikur të ishte prej kartoni.

E tillë paska qenë edhe bindja e zyrtarëve tanë më të lartë. Objekti më i rëndësishëm i sigurisë kombëtare qenka lënë në dorën e një kompanie me 150 punonjës, shumica e tyre kontrollorë të paarmatosur dhe administratë.

Të paktën kështu deklaroi Kryeministri, Ministri i Brendshëm, Belinda, Braçe etj: “Siguria fizike e Aeroportit mbrohet nga koncesionari i aeroportit”.

Për një moment, le ta marrim të mirëqenë këtë përgjegjësi juridike. Pra, perimetri i sigurisë brenda territorit të aeroportit është përgjegjësi e firmës që e ka marrë përsipër. Por çfarë thotë kompania?

Sipas reagimit të TIA-s (Tirana Aeroport International) :“Aeroporti është pjesë e territorit të Shqipërisë dhe mbrohet me ligj nga Policia e Shtetit si çdo metër i këtij vendi. Ndaj deklaratën zyrtare të Ministrisë së Brendshme e vlerësojmë si të pasaktë.”

“Bëjmë thirrje dhe lutemi për vëmendje të kuptojmë të gjithë se forcat e policisë janë të pranishme në çdo cep të aeroportit si objekt i rëndësisë së veçantë, si zonë kufitare dhe policia e ka detyrë ligjore për të ruajtur rendin dhe jetën e qytetarëve në rast incidenti të armatosur,” shkruhet në deklaratë.

TIA u ankua gjithashtu për etiketimin e përsëritur të ministrave dhe kryeministrit si “kompani kineze”, një term që mbart notë denigruese në Shqipëri.

Pra, kompania koncesionare thotë mirë e bukur që “siguria fizike e aeroportit ruhet në kushte normale, të zakonshme, nga kompania që e ka marrë përsipër sigurinë fizike të aeroportit”.

Dhe vërtetë, në rast të një sulmi të armatosur nga një grup i mirëarmatosur prej 20 personash, me mjete të blinduara, çfarë do të bënte një kompani sigurie? Se vërtet kjo hipotezë duket qesharake kudo në botë, por në Shqipëri kjo gjë kthehet në një gjë shumë serioze.

A është perimetri i Aeroportit  “Vija Mazhino” që mund t’i rezistojë sulmeve nga jashtë? Sigurisht që këtu problemet janë të shumta. Janë objekt barsaletash e “memesh” qesharake mbyllja e dyerve të Aeroporteve. Detyrë e TIA-s është, por a e kontrollon Avacioni Civil TIA-n ndonjëherë për parametrat e sigurisë?

Por, edhe në qoftë se për një moment e marrim të mirëqenë që siguria e perimetrit është e nivelit të lartë (po e quaj  “Vija Mazhino”), a parashikohet ndonjëherë se çfarë ndodh nëse perimetri kalohet dhe forca të armatosura futen në Aeroport?

Pra, çfarë ndodh në një situatë të jashtëzakonshme sigurie? Këtu ndalova pak.

M’u kujtuan shkrimet nëpër avionë për mjetet shpëtuese për t’u përdorur nërast rreziku. “Kujdes mos e prek! Në rast rreziku, të thyhet!”. Pra, në raste normale ruhet e në raste të jashtëzakonshme duhet thyer. Thosha me vete që kjo tingëllon kontradiktore. Këshilla e parë ishte të ruhej, ndërsa e dyta të thyhej. Por këshillat kontradiktore ndajnë situatat normale nga ato të jashtëzakonshme.

Paralelizmi është i qartë. Njësoj edhe këtu, në raste të zakonshme policia nuk ka punë brenda aeroportit. Ama në raste të jashtëzakonshme ajo është shpëtimtarja dhe e ka detyrë parësore.

Perimetri i Aeroportit nuk është vija Mazhino. Edhe po të ishte e tillë, fakti që kjo vijë është thyer lehtësisht vetëm dy vjet më parë (grabitja e vitit 2016) duhet ta kishte nxjerrë në pah problemin më pare dhe ky problem të ishte zgjidhur.

Pse nuk e çoi ushtrinë Kryeministri në vitin 2016? Edhe atëherë ishte cenuar siguria kombëtare.

Nuk dua të nxjerr të larë fare kompaninë e sigurisë. Mënyra se si grabitësit u futën në aeroport, përmes një dere pothuaj të pasiguruar, i nxjerr ata të zbuluar.

Por duke pohuar këtë, shpreh bindjen që kompania koncesionare është fajtori më i vogël në këtë grabitje të mirëarmatosur.

 

Botuar më parë tek Gazeta Express

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>