Dy ditë më parë, u publikua në media një letërkëmbim mes ndihmëseve të Kryeministrit Rama dhe Kryetarit të Opozitës Lulzim Basha, për të mundësuar një takim të dy këtyre udhëheqësve më të lartë të vendit, për reformën në drejtësi.
E gjithë skema e komunikimi të stafeve të tyre, u duk sureale—sekretaret që ftojnë udhëheqësit të takohen: njëra sekretare i cakton udhëheqësit tjetër, përmes sekretares së tij, axhendën e bisedimeve, i cakton vendin dhe orën e takimit; pastaj udhëheqësi tjetër i thotë sekretares së tij që t’i thotë sekretares së udhëheqësit tjetër, duke i çuar letër përmes mediave, që ai nuk ka vend në axhendën e tij për disa ditë, por sa të lirohet do t’i thotë sekretares së tij që t’i thotë sekretares të udhëheqësit tjetër që të takohen.
Duket banale dhe është banale. Takimi i udhëheqësve më të rëndësishëm të vendit ka përfunduar në biseda sekretaresh, të cilat botohen në mënyrë pompoze nga vetë udhëheqësit në faqet online dhe përcillen nga qindra media. Arroganca e komunikimit dhe shpërfillja e dukshme ndaj njëri-tjetrit, është në fakt dëshmi e shpërfilljes që ata kanë për popullin dhe interesat e tij.
Por, përtej banalitetit ka diçka shumë serioze në komunikimin e sekretareve—letërkëmbimi në dukje i shkujdesur ka të bëjë me një interes të përbashkët të zotërinjve Rama dhe Basha: mos aprovimin e reformës në drejtësi dhe shmangien e kostove politike që mund të vinë nga ky veprim për shkak të presionit të fuqive të huaja.
Historia e reformës në drejtësi është bërë tërkuzë prej më shumë se një viti. Drafti i parë i reformës në drejtësi u hartua nga mazhoranca, e cila kontrollon Komisionin e Posaçëm për hartimi e reformës. Opozita e kundërshtoi variantin e parë të qeverisë dhe përgatiti një sërë vërejtjesh thelbësore. Drafti i qeverisë dhe vërejtjet e opozitës iu dërguan për shqyrtim Komisionit të Venecias, i cili e rrëzoi dokumentin e qeverisë duke këshilluar ndryshime thelbësore.
Kështu nisin bisedimet për një draft të ri, sërish takime mes ekspertësh e përfaqësuesve politikë, deklarata nga krerët e partive, deklarata nga ambasadorët. Por as drafti i dytë nuk mori pëlqimin e Venecias, e cila dha këshilla të reja.
Në këtë moment, ambasadori amerikan Lu dhe ambasadorja e BE-së Vlahutin, nga nxitës së reformës, vendosën të bëhen lojtarë. Ata u kërkuan ekspertëve të tyre që ndihmojnë komisionin e reformës—dy ekspertë të huaj, pa përvojë kushtetuese por me përvojë në sistemin e drejtësisë—të hartonin një draft të tretë. Këtë draft ata ja dërguan dy partive kryesore politike duke ju kërkuar ta votonin atë, pa ndryshime.
Ky draft duket se ka një sërë dobësish dhe të metash serioze dhe me të drejtë PD dhe PS kundërshtuan miratimin e tij pa asnjë dnryshim. Ndërsa të dy partitë kërkuan të bëhen përmirësime të draftit, duket se dominoi kokëfortësia e Ambasadorëve Lu dhe Vllahutin të cilët ju përgjigjën PS-së dhe PD-së përmes mediave se “ndryshimet duhen miratuar menjëherë, pasi nuk ka më kohë për ndryshime të mëdha”.
Në këtë kushte, duket se zgjidhja e PD-së dhe PS-së është të bëhen bashkë për të përballuar presionin amerikan dhe europian për moskryerjen e reformës në drejtësi. Takimi i pritshëm Rama-Basha më shumë se për të negociuar për reformën në drejtësi, ka gjasa të jetë takim për të koordinaur qëndrimet e tyre përballë ndërkombëtarëve, për të shtyrë apo mos miratuar fare reformën në drejtësi, të paktën në formën që është.
Por, në vend që këtë qëndrim ta bëjnë me seriozitet dhe përgjegjësi, zotërinjtë Rama dhe Basha duket se kanë zgjedhur të bëhen qesharakë duke sajuar letërkëmbim sekretaresh.