Në Kosovë është përuruar memoriali përkujtimor kushtuar qindra mijëra shqiptarëve të cilët u dëbuan nga Kosova gjatë sulmit të Serbisë në vitin 1999.
Vepra është ndërtuar në Bllacë pranë kufirit të Kosovës me Maqedoninë e Veriut, ku ndodhej edhe ish-kampi i refugjatëve i cili dikur priti 440,000 njerëz që largoheshin nga persekutimi serb.
Në ceremoninë e përurimit morën pjesë rreth 50 njerëz si pasojë e masave anti-COVID.
“Ky është muri i kujtimeve tona, që përfaqëson dhembjen e 440 mijë njerëzve që kaluan këtu në vitin 1999 pas krizës humanitare dhe ndërhyrjes së forcave progresive për të ndaluar zhdukjen e një popullsie të tërë”, u shpreh Jahja Luka, përfaqësues i një shoqate refugjatësh, raporton Euronews.
Memoriali ka në qendër një mozaik, figura kryesore e të cilit është Sherife Ljuta, e cila shfaqet duke i dhënë gji foshnjës së saj, ndërsa me mijëra refugjatë të tjerë ecin pas saj.
“Më kujtohet atë ditë, me vajzën në krahët e mi, mijëra refugjatë që ecnin të lodhur, pa ngrënë ose pa pirë dhe unë me vajzën (time) në krahë, duke e ushqyer me gji, në një udhëtim pa ndërprerje”, u shpreh ajo.
Rreth 850 mijë shqiptarë të Kosovës u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre gjatë luftës me Serbinë.