Prodhuesit e vaksinave Pfizer dhe Moderna pritet të fitojnë miliarda dollarë nga vaksinat përforcuese të COVID-19.
Analistët dhe investitorët e kujdesit shëndetësor shprehen se ata mund të marrin deri ne 6 miliardë dollarë në vit, në vitet në vazhdim.
Për disa muaj, kompanitë kanë thënë se presin që njerëzve të vaksinuar plotësisht do t’u duhet një dozë shtesë e vaksinave për të ruajtur mbrojtjen me kalimin e kohës dhe për të shmangur variantet e reja të koronavirusit.
Kili, Gjermania dhe Izraeli kanë vendosur të ofrojnë doza përforcuese për qytetarët e moshuar ose njerëzit me sistem imunitar të dobët përballë variantit Delta që po përhapet me shpejtësi.
Të enjten vonë, Administrata Amerikane e Ushqimit dhe Barnave autorizoi një dozë përforcuese të vaksinave Pfizer dhe Moderna për njerëzit me sistem imunitar të prekur.
Pfizer, së bashku me partnerin e saj gjerman BioNTech, dhe Moderna kanë mbyllur së bashku mbi 60 miliardë dollarë në shitjet e vaksinave vetëm për vitet 2021 dhe 2022. Marrëveshjet përfshijnë furnizimin e dy dozave fillestare të vaksinave të tyre, si dhe miliarda dollarë për dozat shtesë.
Analistët kanë parashikuar të ardhura prej mbi 6.6 miliardë dollarë për Pfizer/BioNTech dhe 7.6 miliardë dollarë për Moderna në 2023, kryesisht nga shitjet e dozave përforcuese.
Disa të dhëna të hershme sugjerojnë se vaksina Moderna mund të jetë më e qëndrueshme se ajo e Pfizer, por nevojiten më shumë kërkime për të përcaktuar nëse kjo ndikohet nga mosha ose shëndeti i njerëzve të vaksinuar.