Stadiumi i ri kombëtar nuk do të ketë pistat atletike, por ato do të ndërtohen në Parkun e Liqenit, mbrapa Hotel Sheratonit. Kështu ka deklaruar mbrëmë, në emisionin Opinion, Arben Dervishi, funksionar i lartë i Federatës Shqiptare të Futbollit.
Ndërsa është e sigurtë se stadium i ri, sikurse është propozuar, nuk do të ketë pista atletike, nuk dihet nëse është marrë përfundimisht vendimi për të ndërtuar një infrastukturë atletike në Parkun e Liqenit.
Nëse e marrim të mirëqenë deklaratën e Zotit Dervishi, ky vendim ka dy probleme kryesore:
E para, kjo është një tjetër ndërhyrje në Parkun e Liqenit, pjesë të së cilit po “grabiten” gjithmonë e më shpesh për t’u kthyer në ndërtime.
E dyta, a mundet një pistë atletike të ndërtohet dhe të funksionojë në Parkun e Liqenit pa asnjë infrastrukturë shtesë, si zyra, dhoma zhveshje, etj?
Pavarësisht se nuk ka ende asnjë informacion për këtë projekt, nuk do të bënte habi nëse projekti do të bëhej publik vetëm pasi të ishte marrë vendimi, ashtu si ndodhi për projektin e stadiumit e ri kombëtar apo këndin e lojrave në Parkun e Liqenit
Deri në momentin e ndërtimit të pistës së re, Tirana do të jetë i vetmi kryeqytet në botë pa asnjë pistë dhe infrastrukturë atletike.