Projektet për zbatimin e planit ekonomik të BE-së për rimëkëmbjen nga pandemia është tema kryesore e diskutimeve në takimin e 6 udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor, sot, 10 qershor, në Tiranë.
“Ky samiti i udhëheqësve të Ballkanit Perëndimor do të ndihmojë për të zbatuar planin ekonomik të BE-së dhe tregun e përbashkët rajonal”, u shpreh Kryeministri Edi Rama në fjalën e hapjes.
Ai falenderoi eurokomisionerin e zgjerimit Varhelyi për nisjen dhe promovimin e paketës financiare të BE-së për rimëkëmbëjen e ekonomisë.
Njësoj, edhe eurokomisioneri Varhelyi në një postim në Twitter u shpreh se në këtë takim do të diskutohet për zbatimin e planit ekonomik të rimëkëmbjes përpara takimit të Procesit të Berlinit më 5 korrik.
Më 2 qershor, BE miratoi 14,2 miliardë euro financim për Instrumentin e Ndihmës së Para Anëtarësimit, IPA, për periudhën 2021-2027, për Ballkanin Perëndimor, pa specifikuar se sa para do të marrë Shqipëria.
Ndërkohë, më 11 shtator 2020, Shqipëria miratoi marrjen e 180 milionë eurove kredi nga Bashkimi Europian, për luftimin e pasojave të Covid-19. Kjo kredi ishte pjesë e një pakete ndihme makro-financiare, prej 3,3 miliardë eurosh për vendet e Balkanit Perëndimor, nga Këshilli Evropian.