Po sikur të ishte vajza juaj?

Nga Alice Elizabeth Taylor
Po sikur të ishte vajza juaj?

Nuk do të flas se si një grup personazhesh publikë të fuqishëm dhe me ndikim u futën me forcë në stacionin e policisë. Nuk do të flas nëse një oficer policie u kërcënua me armë për të tërhequr akuzat penale. Nuk do të flas për abuzimet potenciale të pushtetit dhe tentativën për ta mbuluar ngjarjen. Nuk do të flas nëse ajo grua e re ishte ose nuk ishte përdhunuar, ishte djegur me cigare dhe goditur me armë apo jo, dhe nuk do të flas për motivet politike të askujt që është përfshirë në këtë ngjarje – në vend të kësaj, do ju lë të nxirrni konkluzionet tuaja.

Ajo për të cilën unë do të flas është qëndrimi ndaj viktimave të abuzimit dhe faktit që këta individë nuk merren seriozisht nga ligji apo shoqëria.

Duke kërkuar nëpër media sociale dhe duke përdorur Google Translate, hasa disa komente vërtetë shqetësuese rreth vajzës së re në fjalë. Shumë njerëz spekulonin se ajo mund të ketë qenë e dehur, se ndoshta ajo kishte pranuar vetë të ishte në një marrëdhënie me dhunuesit, asnjëra prej të cilave nuk është justifikim për përdhunim apo ushtrim dhune.

Më lejoni të sqaroj diçka; nuk ka rëndësi nëse një grua është e pavetëdijshme ose nëse ajo është në çfarëdo lloj marrëdhënieje me dikë – nëse ajo nuk pranon ose refuzon, akti është përdhunim dhe sulmuesi i saj është fajtor. Asnjë situatë nuk justifikon veprimet e një përdhunuesi në asnjë rrethanë dhe sa më shpejt që ne të ndalojmë fajësimin e grave për dhunën që ato vuajnë, ose arrijmë në përfundimin se gratë e meritojnë dhunën, aq më mirë do të jetë për shoqërinë në tërësi.

Një tjetër frazë të zakonshme që kam gjetur nëpër komente ishte besimi se vajza e dhunuar e sajoi vetë të gjithën. Epo ja diçka që duhet ta dini, gratë në përgjithësi nuk sajojnë histori me përdhunim. Për më tepër, përqindja e papërfillshme e grave që sajojnë ngjarje me përdhunim, nuk justifikojnë kallëzimet e shumta të mos marra parasysh dhe drejtimin në disa komisariate të viktimës për të bërë kallzimet. Çdo individ që bën një akuzë të tillë si përdhunimi, meriton që çështja e tyre të shqyrtohet në detaje, të hetohet në mënyrë të duhur dhe të përfundojë pa ndërhyrje nga ndonjë palë e tretë apo individi i jashtëm.

Nëse një grua deklaron se ajo është dhunuar seksualisht, ajo duhet të trajtohet sikur po thotë të vërtetën derisa të mblidhen prova të mjaftueshme për të vërtetuar ndryshe. Ajo duhet të kontrollohet fizikisht nga ekspertët mjeko-ligjor në praninë e oficerëve të policisë. Ajo duhet të intervistohet me delikatesë në prani të oficereve femra dhe psikologëve dhe e vërteta duhet të konstatohet në bazë të provave, vlerësimeve dhe mendimeve profesionale, jo të hamendësimit dhe gjykimit nëpër media sociale.

Kjo mungesë e të kuptuarit të situatës mban erën e të njëjtin qëndrim global ndaj grave – ne nuk jemi njerëz që vuajnë dhe lëndohen, ne nuk jemi njerëz që meritojnë drejtësi dhe ne nuk jemi njerëz që meritojnë të drejtën për t’u mbrojtur. Ne jemi objekte – për të luajtur të fuqishmit, të pushtetshmit dhe ku sigurisht “burrat e fuqishëm” të mund të fusin k**** e tyre sa herë të duan. Koncepti që një grua mund të refuzojë kërkesat e një burri viril është tërësisht i huaj dhe në fakt, gruaja duhet të jetë mirënjohës që një mashkull i tillë e konsideron atë mjaftueshëm të denjë për vëmendjen e tij.

Ky qëndrim është i përhapur në shumë aspekte të shoqërisë; nga burrat që flasin me veten për vite me radhë dhe na dërgojnë foto të k***** të tyre nëpër mesazhe, tek burrat që vrasin gratë sespe nuk duan të qëndrojnë më në marrëdhënie me to. Këto janë tregues të një qëndrimi që i sheh gratë si qenie më të vogla. Tani shtoni dhe faktin se një njeri mund të shpëtojë nga akuzat për krime me bazë gjinore duke paguar para ose duke marrë dike të pushtetshëm që të kërcënojë me armë një polic; dhe kjo situatë bëhet jashtëzakonisht e tmerrshme.

Në të gjitha rastet e dhunës kundër grave, gratë meritojnë të trajtohen me seriozitet. Ne e meritojmë të dëgjohemi, të respektohemi dhe të marrin trajtimin ligjor deri sa e vërteta të dalë në dritë. Ne nuk duhet të luftojmë për të regjistruar kallëzime kundër dhunuesit, nuk duhet të luftojmë për të marrë një urdhër ndalimi ndaj agresorit, nuk duhet të luftojmë që të na besojnë, thjesht sepse dhunuesi ka para dhe lidhje me të fortë dhe mund të shpëtojë.

Për ata që janë fajtorë për lehtësimin e shkarkimit të akuzave kundër dhunuesve me bazë gjinore, kam një pyetje; po sikur të ishte vajza juaj?


Alice Elizabeth Taylor është themeluese e blogut The Balkanista.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>