Policia njofton se nuk do të lejojë grumbullime më shumë se 10 persona

Nga Exit News
Policia njofton se nuk do të lejojë grumbullime më shumë se 10 persona

Policia e Shtetit deklaroi se nuk do të lejojë më grumbullime më shumë se 10 persona në Tiranë.

Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, policia deklaron se deri më tani lejoi zhvillimin e protestave për shkak të ndjeshmërisë ndaj vrasjes së Klodian Rashës.

Ajo shtoi se drejtësia po bën punën e saj dhe se protestat po cenojnë rendin publik.

“Policia e Shtetit është shumë e vetëdijshme për të drejtën e protestës dhe lirinë e pacenueshme të tubimit. Në kushtet e sensibilizimit të madh të shoqërisë pas tragjedisë së djalit njëzetepesë vjeçar që humbi fatalisht jetën, nga dora e një efektivi policie, Policia e Shtetit e ka pasur të pamundur ta anashkalojë ndjeshmërinë popullore për të mos lejuar asnjë tubim. Por tanimë kur drejtësia po kryen detyrën e saj ndaj autorit të vrasjes dhe kur protestat kanë degraduar në organizime që kanë për qëllim cenimin e rendit publik dhe pronës publike, Policia e Shtetit nuk do të tolerojë asnjë grumbullim që bie ndesh me kornizën aktuale të masave shtrënguese.”

Policia i bëri thirrje qytetarëve të respektojnë masat kundër Covid-19 duke paralajmëruar se mund të kalojmë “në një etapë tjetër të një mbylljeje përtej kufijve të deritanishëm”

E drejta e protestës është një e drejtë e garantuar nga Kushtetuta dhe Konventa Europiane për të drejtat e njeriut. Neni 175 i Kushtetutës përcakton se ajo mund të kufizohet vetëm në gjendje të luftës ose gjendje të jashtëzakonshme. Mbetet e paqartë se ku bazohet lajmërimi i policisë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>