Dy javët e fundit të marsit, policia gjobiti rreth 2050 qytetarë për shkelje të kufizimeve që qeveria ka vënë për të frenuar epideminë e koronavirusit.
Shifrat u konfirmuan nga Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj, i cili njoftoi përmes një postimi në Facebook se prej datës 16 mars deri më 31 mars:
- 1843 qytetarë që nuk respektuan kufizimet e lëvizjes u gjobitën me nga 10 000 lekë;
- 183 pronarë dyqanesh e lokalesh që vazhduan aktivitetin përtej kufizimit të orarit u gjobitën me nga 100 000 lekë;
- 14 qytetarë që nuk respektuan kufizimet e lëvizjes në parqe u gjobitën me nga 20 000 lekë;
- 6 qytetarë që nuk respektuan karantinën u gjobitën me nga 700 000 lekë;
- 1 qytetar që hyri pa leje në spital u gjobit me 500 000 lekë;
Totali i gjobave për 2 047 qytetarë është 41 710 000 lekë ose ndryshe €340 000. Në raportin e tij Ministri nuk përmend se sa makina janë bllokuar, por thotë se 41 qytetarëve iu bllokuan biçikletat ose motorët.
Exit News vëren se referuar raporteve të policisë, shifrat totale të raportuara nga Ministri Lleshaj janë ndjeshëm më të vogla në gjoba për qytetarët dhe më të mëdha për bizneset.
Në raportet policore të mbledhura nga Exit News (kliko këtu për t’i shqyrtuar të gjitha) rezulton se u gjobitën 2205 qytetarë:
- 2,031 qytetarë që nuk respektuan kufizimet e lëvizjes u gjobitën me nga 10 000 lekë;
- 152 pronarë dyqanesh e lokalesh që vazhduan aktivitetin përtej kufizimit të orarit u gjobitën me nga 100 000 lekë;
- 14 qytetarë që nuk respektuan kufizimet e lëvizjes në parqe u gjobitën me 20 000 lekë;
- 6 qytetarë që nuk respektuan karantinën u gjobitën me nga 700 000 lekë;
- 1 pronar call-center për mos-pajisje me masa mbrojtëse u gjobit me 700 000 lekë;
- 1 qytetar që hyri pa leje në spital u gjobit me 500 000 lekë;
Totali i gjobave ka qenë 40 830 000 lekë ose ndryshe €330 mijë euro. Raporti i Ministrit Lleshaj duket se synon të japë një panoramë tjetër nga ajo që ka raportuar policia, ku janë gjobitur mbi 2 000 këmbësorë.
Gjithashtu raportit të Ministrit i mungojnë shifrat e 690 bllokimeve të automjeteve, të raportuara nga policia në këto ditë.
Ministri duket se synon të tregojë se në përgjithësi qytetarët i kanë zbatuar kufizimet e lëvizjeve dhe se policia nuk është treguar e ashpër me ta.