Policia Bashkiake e Tiranës është gjetur fajtore për diskriminim nga Gjykata Administrative dhe është dënuar t’i paguajë dëmshpërblim 2.5 milionë lekë një qytetari të komunitetit egjiptian.
Policia Bashkiake i kishte sekuestruar këtij qytetari biçikletën dhe disa mbeturina, materiale gipsi.
Në përgjigjen e kthyer Komisionerit Kundër Diskriminimit, Bashkia deklaronte se “mbetjet urbane janë pronë e Bashkisë Tiranë,” ndërsa biçikleta iu konfiskua qytetarit për shkak se ai nuk dispononte dokument pronësie mbi të.
Qytetari u ankua tek Komisioneri Kundër Diskriminimit duke thënë se mbeturinat ia kishte falur pronari i një dyqani që po bënte rikonstruksion. Ai pretendoi se sekuestrimi i mbeturinave dhe i biçikletës nën supozimin se ato janë vjedhur nga ndonjë kazan mbeturinash bashkiake, bazohej thjeshtë në paragjykimin e tij si qytetar egjiptian.
Komisioneri shpalli fajtore Policinë Bashkiake për “diskriminim të tërthortë, për shkak të racës, etnisë dhe gjendjes ekonomike”.
Përmes avokatit Gentian Serjani, avokat i të drejtave të njeriut, qytetari kërkoi në Gjykatën Administrative të Tiranës dëmshpërblim monetar.
Gjyqtari Eriol Roshi shpalli të hënën pranimin e pjesshëm të padisë dhe detyrimin e palës së paditur, Bashkia Tiranë, të kompensojë qytetarin e diskriminuar në masën 2.5 milionë lekë.