Policia e shtetit njoftoi marrjen e disa masave për të shmangur shkeljen e rregullave kundër Covid-19 si dhe krimet e mundshme, gjatë festave të fundvitit.
Në një deklaratë për shtyp, Drejtori i Departamentit për Sigurinë në Policinë e Shtetit Gjovalin Loka njoftoi se policia e shtetit do të marrë këto masa:
- Rritja e prezencës policore në të gjithë territorin, për faktin se në raste festash kemi rritje të numrit të qytetarëve të cilët kthehen pranë familjeve të tyre për të festuar festat e fundvitit
- Sigurimi në kohë i informacioneve për parandalimin e ngjarjeve kriminale, evidentimi dhe mbajtja nën kontroll e personave me precedent kriminal dhe penal, sidomos e atyre personave që kthehen për të festuar festat, duke identifikuar dhe mbajtur në vëzhgim automjetet që përdorin apo ambienteve që frekuentojnë ata, me qëllim parandalimin e ngjarjeve kriminale
- Rritja e efikasitetit të shërbimeve të Policisë në njohjen e situatës operative kriminale, nëpërmjet bashkërendimit dhe bashkëveprimit efektiv të strukturave, me agjencitë e tjera të zbatimit të ligjit brenda dhe jashtë vendit
- Monitorimi i qarkullimit të automjeteve, duke shtuar prezencën policore në të gjitha akset rrugore nacionale, qytetase dhe ndërqytetëse
- Krijimi i lehtësirave ligjore në pikat e kalimit të kontrollit kufitar në rast se do ketë fluks në hyrje dhe aplikimin e kontrolleve të lehtësuara kufitare
- Shtimin e kontrollit të automjeteve në bazë të analizave të riskut, me qëllim parandalimin dhe goditjen e trafiqeve të paligjshme
- Shtimi i kontrolleve ndaj subjekteve që tregtojnë fishekzjarrë, duke bashkëpunuar me strukturat e tjera ligjzbatuese
Loka i bëri thirrje qytetarëve të respektojnë masat e reja kundër Covid-19 të shmangin përdorimin e fishekzjarrëve.