Policia e Shtetit i ka quajtur të pabazuara dhe të padrejta “sulmet nominale” e disa deputetëve të opozitës parlamentare në drejtim të policisë gjatë seancës plenare të së enjtes.
Në një reagim zyrtar, Policia shkruan se deputetët kanë përbaltur padrejtësisht punonjësit e Policisë dhe drejtuesit e saj.
“Sulmet nominale të pabazuara dhe të padrejta kundër punonjësve të Policisë së Shtetit janë të papranueshme dhe të dëmshme për interesin publik.”
Policia thekson se të gjithë efektivët e policisë janë të angazhuara maksimalisht për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, parandalimin dhe goditjen e krimit në përgjithësi dhe atij të organizuar në veçanti.
Po ashtu, në reagim zyrtar shkruhet se policia bën pothuaj çdo javë operacione të shumta me partnerët ndërkombëtarë, gjë që tregon se Policia e Shtetit është tashmë një organizatë profesionale dhe e besueshme nga partnerët.
Gjatë seancës parlamentare, ka qenë deputeti Mysli Murrizi ai që ka akuzuar ministrin Lleshaj dhe policinë për paaftësi. Murrizi e quajti policinë të pabesueshme.