Autoritetet shqiptare njoftuan sot se sekuestruan një pasuri prej 1,5 milionë eurosh të një ish-zyrtari të lartë.
Përmes aksionit policor të koduar “Investimi” autoritetet ndaluan një transaksion bankar me dyshimin se shuma që do të lëvizej ishte e fituar nga burime të paligjshme.
Mediat raportuan se 1,5 milionë eurot e sekuestruara ishin të ish-Drejtorit të Agjencisë së Legalizimeve (ALUIZNIT) për Tiranën Ferdinand Shehu.
Policia tregoi se përmes një banke private, Shehu, ishte përpjekur të transferonte 1 milionë euro jashtë vendit me qëllim “investime financiare” ndërsa 500 mijë euro të tjera ai i kishte vënë në depozitë bankare.
Por vetë ish-zyrtari i Agjencisë së Legalizimeve u shpreh për Ora News se shuma e sekuestruar ishte fituar përmes shitjes së një prone dhe se e gjithë procedura e lëvizjes bankare ishte sipas ligjit:
“1.5 milionë eurot e sekuestruara janë të ardhura të siguruara nga shitja e një hoteli. Aktualisht ndodhem në Itali, nuk kam asgjë për të fshehur, do të kthehem në Shqipëri. Transaksioni që po kryeja ishte në përputhje me ligjet shqiptare, në rrugë bankare dhe noter. Do të ndjek të gjitha rrugët ligjore për të cilën nga ky moment është ngarkuar avokatja ime.”
Nga viti 2006 deri në vitin 2010 Shehu ka qenë zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Agjencisë së Legalizimeve. Më pas deri në vitin 2011 ka drejtuar Agjencinë e Tiranës përpara se të shkarkohej pasi nuk kishte treguar në jetëshkrimet e tij të shkuarën si hetues gjatë periudhës së diktaturës.