Policia padit Spitalin Amerikan për mashtrim dhe kontrabandë me testet e koronavirusit

Nga Exit News
Policia padit Spitalin Amerikan për mashtrim dhe kontrabandë me testet e koronavirusit

Prokuroria e Tiranës konfirmoi për mediat të mërkurën se do të nisë hetimet për Spitalin Amerikan, për mashtrim dhe kondrabandë me testet e koronavirusit.

Vizion Plus raportoi duke cituar drejtuesen e Prokurorisë së Tiranës, Elisabeta Imeraj, se policia ka kallëzuar për mashtrim dhe kondrabandë Spitalin Amerikan. Në raportimin e saj Vizion Plus thotë se hetimi që do të nisë pas caktimit të prokurorit.

Në kushtet e epidemisë, testi i koronavirusit kryhet vetëm nga Instituti i Shëndetit Publik (ISHP), i cili është dhe përgjegjës për menaxhimin e situatës.

Përveç kësaj, Laboratori i Virologjisë në ISHP është i vetmi i certifikuar në Shqipëri nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH).

Siç Exit News ka shpjeguar më parë, testi për Covid-19 kryhet përmes analizimit të sekrecioneve të hundës ose gojës, sekrecione të cilat merren me tamponë, ndërsa sipas mediave në Spitalin Amerikan testet janë kryer përmes analizave të gjakut.

Deri të mërkurën ISHP kishte kryer 1823 analiza për Covid-19 në Shqipëri – duke diagnostikuar 259 persona të infektuar.

Ndërkohë në një intervistë për Blendi Fevziun, drejtori i Spitalit Amerikan, Klodian Allajbeu, pati konfirmuar se spitali i tij jo vetëm që mundej të kryente teste për koronavirus, por kishte kapacitete për kryerjen e plot 4 000 analizave në ditë.

Allajbeu pati deklaruar se deri më 30 mars, Spitali Amerikan ishte në prijte të reagentëve për të filluar testimet.

Albana Daka, mjeke në Spitalin Amerikan, shtoi më vonë, se në mënyrë private analizat kushtonin 150 deri në 350 euro.

Agjencia Kombëtare e Barnave u shpreh të martën se nuk ka certifikuar asnjë spital privat për diagnostikim të koronavirusit.

Kështu nëse rezulton e vërtetë se Spitali Amerikan po kryen analiza për koronavirus, ato janë të pakonfirmuara nga ISHP dhe OBSH.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>