Policia, Këshillit të Evropës: Nuk e dinim që po arrestonim gazetarë

Nga Albi Çela
Policia, Këshillit të Evropës: Nuk e dinim që po arrestonim gazetarë

Arrestimi i gazetarëve Xhoi Malësia dhe Qamil Xhani gjatë protestave të Dhjetorit 2020, ishte një tjetër goditje mbi fjalën e lirë në vendin tonë. I menjëhershëm ishte reagimi i organizatave kombëtare dhe ndërkombëtare mbi këtë akt që  shkelte në mënyrë flagrante një të drejtë të mbrojtur jo vetëm nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, por nga konventa ndërkombëtare të cilat Shqipëria ka detyrimin ligjor ti zbatojë në mënyrë rigoroze.

Ky rast është raportuar menjëherë pranë Këshillit të Europës në “Platformën për promovimin dhe mbrojtjen e medias dhe sigurisë së gazetarëve”, dhe së fundmi kërkesë për sqarim i është përgjigjur dhe Policia e Shtetit. Për ata që e njohin sadopak fushën e mbrojtjes së lirisë së medias, sqarimi në fjalë lë për të dëshiruar dhe të lë të kuptosh që institucionet të cilat supozohet të garantojnë respektimin dhe mbrojtjen e kësaj të drejte, nuk njohin ligjin të cilin ata vetë referojnë.

Për të dy rastet, institucionet tona, justifikojnë arrestimin e gazetarëve Malësia e Xhani, me refuzimin apo pamundësinë e këtyre dy të fundit për t’u identifikuar si gazetarë. Në momentin e arrestimit Malësia ka qenë duke raportuar drejtpërsëdrejti në Radio-Televizionin Ora, ndërsa Xhani ka qenë në hyrjen e redaksisë së gazetës Koha Jonë nga ku po filmonte momentin kur policia po ushtronte dhunë ndaj protestuesve. Vlen të theksohet që është sikur të dy personat në fjalë të kishin qenë pjesë e protestës, në ato rrethana policia nuk kishte asnjë të drejtë ti shoqëronte.

Por, shoqërimi i tyre ndërkohë që ata po mblidhnin informacion, është momenti në të cilin policia ka kryer shkeljen të cilën mundohet jo vetëm ta justifikojë, por i vendos dhe petkun e ligjores në mënyrën më absurde duke zhvendosur barrën mbi gazetarët. “Drejtoria e Policisë shpreh keqardhje mbi këtë situatë, dhe në të njëjtën kohë inkurajon gazetarët të kryejnë detyrën e tyre për të informuar publikun, duke respektuar rregullat dhe procedurat sipas ligjit të brendshëm” – është shprehur kjo e fundit në sqarimin drejtuar Këshillit të Europës.

Ndërkohë që “ligji i brendshëm” është i qartë mbi mbrojtjen që i jepet fjalës së lirë dhe gazetarëve, kujtojmë që si vend anëtar i Këshillit të Evropës, kemi detyrime dhe karshi Konventës Evropiane mbi të Drejtat e Njeriut të cilën e kemi ratifikuar dhe “përbën pjesë të sistemit të brendshëm juridik” në bazë të nenit 122(1) të Kushtetutës. Gjithsesi, i sjellim në vëmendje policisë, që po në bazë të Kushtetutës, neni 122(2), Konventa ka epërsi mbi një ligj i cili nuk pajtohet me të. Këtu përfshihet dhe jurisprudence e Gjykatës Evropianë për të Drejtat e Njeriut e cila me vendimet e saj interpreton konventën dhe vendos precedent, standardet e të cilit duhen respektuar nga çdo shtet anëtar.

Përsëri, për ti thjeshtuar punën Policisë së Shtetit, i sjellim në vëmendje një nga çështjet e fundit të GJEDNJ, e cila si për koincidencë përputhet me rastet e gazetarëve në fjalë, e sidomos me atë të Z. Malësia.

Në çështjen Butkevitch kundër Russisë, Gjykata ka sqaruar se mbledhja e informacionit është një element thelbësor në gazetari dhe një pjesë e qenësishme e mbrojtjes së lirisë së shtypit. Në rastin konkret ajo vendosi se arrestimi i gazetarit Butkevich ndërkohë që ai po bënte fotografi dhe po mblidhte informacion gjatë protestës, përbënte shkelje të nenit 10 të Konventës. Kaq do të mjaftonte për të dalë në konkluzionin që në rastin e gazetarëve Malësia e Xhani ka pasur shkelje.

Por gjykata ka vijuar më tej duke vendosur një standard akoma më të lartë, dhe është shprehur se dhe pse gazetari Butkevitch nuk kishte qenë i alokuar në terren nga media ku punonte, ai përsëri gëzonte mbrojtjen e konventës. Pikërisht, ky konkluzion i gjykatës hedh poshtë cdo justifikim të policisë lidhur me faktin që Malësia e Xhani nuk kanë mundur të identifikohen si gazetarë. Fakti që ata kanë qenë duke mbledhur informacion lidhur me një event në interes të publikut, konventa i ofron atyre një mbrojtje e cila nuk mund të tjetërsohet as nga ligji i brendshëm të cilin policia referon pa kurrfarë argumentimi.

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme