Policia e shtetit i ka quajtur ekstremistë të dhunshëm qytetarët që kanë protestuar sot para kryeministrisë për vrasjen e 25-vjeçarit Klodian Rasha.
Në njoftimin për shtyp në lidhje me protestën, thuhet se 9 policë kanë mbetur të plagosur, 3 prej të cilëve në gjendje “më të rëndë” pasi kanë marrë dëmtime në kokë dhe trup.
Më tej policia e cilëson të padrejtë dhunën e sotme ndaj saj dhe institucioneve dhe shton se ajo nuk mund të justifikohet me vrasjen e 25-vjeçarit nga efektivi i policisë.
“Episodi i papranueshëm i vrasjes së një qytetari nga një punonjes policie, i cili po hetohet në gjendje arresti, nuk mund të përdoret si pretekst për të ushtruar dhunë të verbër, për të plagosur rëndë punonjësit e Policisë së Shtetit dhe shkatërruar pronën publike dhe private.”, shkruan Policia.
Protestuesit janë paralajmëruar se do të përballen me forcën ligjore ndërsa organizatorët, të cilët ende nuk dihet se kush janë, sipas policisë kanë bërë thirrje për protestën online.
Të pyetur nga gazetarët në terren, pjesmarrësit në protestë sot kanë thënë se nuk ka organizator mes tyre. Megjithatë duket se policia i ka identifikuara ata në rrjetet sociale megjithëse nuk jep detaje se cilët janë konkretisht.