Pak ditë më parë, argumentuam se përpjekjet e policisë shqiptare kundër trafikimit të drogës janë të pa efektshme, duke kontrastuar rezultatet minimale dy javore të policisë shqiptare me ato të policisë italiane për drogën me origjinë nga Shqipëria.
E njëjta gjendje po konfirmohet çdo ditë.
Duket se e vetmja strategji e policisë sonë kundër drogës janë kontrollet rastësore për të zbuluar raste të shkëputura individuale. Policia kontrollon kryesisht makinat që ndalon rastësisht rrugëve të vendit ose bagazhet personale të udhëtarëve që kalojnë pikat kufitare.
Ndërkohë, ngarkesat e mëdha të drogës, transporti i të cilave organizohet nga rrjete ndërkombëtare në bashkëpunim me grupe kriminale shqiptare, i kap policia italiane në aksione të mirëorganizuara.
Ja të dhënat e dy ditëve të fundit të policisë shqiptare dhe italiane.
17 Korrik 2016:
Policia italiane kapi në brigjet e Pulias një gomone të ardhur nga Shqipëria me 400 kg marijuanë dhe arrestoi dy drejtuesit e saj italianë.
18 Korrik 2016:
Policia kufitare e Kapshticës arrestoi katër gra, të cilat transportonin me çantat e tyre rreth 300 gramë kokainë.
Policia e Elbasanit arrestoi dy shtetas maqedonas me 100 gramë kokainë gjatë një kontrolli në makinën e tyre në aksin Librazh–Përrenjas.