Autoritetet policore dhe të burgjeve kanë keqtrajtuar qytetarë dhe në disa raste kanë torturuar.
Kështu është shprehur raporti i Këshillit të Europës për Parandalimin e Torturës, i cili sapo është bërë publik.
Raporti shpreh shqetësime për kushtet e këqija të paraburgimit, të shërbimit shëndetësor në burgje, gjendjen e pacientëve psikiatrikë dhe zbatimin e masave mbrojtëse për shtrimin e tyre me dhunë në spital.
Kritika ka patur edhe për gjendjen ne4 burgje, e veçanërisht trajtimin e të dënuarve që vuajnë nga probleme psiqike.
Raporti, që mbulon vitin 2014, shprehet se situate në Shqipëri ka ardhur vazhdimisht duke u përkeqësuar që nga viti 2010.
Pikat kryesore të raportit janë:
- Policia ka kryer në shumë raste keqtrajtime fizike të qytetarëve—shuplaka, grushta, shqelma dhe goditje me shkop,—përfshi edhe ndaj të miturve.
- Në disa raste policia ka kryer torturë—rrahje për një kohë të zgjatur me objekte të forta, si këmbë karrige ose shkopinj druri,—kryesisht gjatë marrjes fillestare në pyetje në përpjekje për të marrë informacion të mëtejshëm.
- Kushtet e mjediseve të paraburgimit janë të papranueshme dhe, në shumë raste, çnjerëzore e degraduese.
- Shumica e qelive në komisariatet e policisë kanë kushte të mjerueshme higjene, ndriçimi dhe ngrohje.
- Shumë burgje janë të mbipopulluara dhe nuk kanë kushte të përshtatshme.
- Në spitalet e burgjeve nuk ka ngrohje, kushtet higjenike janë në një gjëndje shumë të keqe dhe mungojnë pajisjet dhe furnizimet bazë mjekësore.
- Pjesa më e madhe e pacientëve që janë deklaruar jo të përgjegjshëm për krimet e kryera vazhdojnë të mbahen në burg në shkelje të ligjit.
- Autoritetet shqiptare duhet të marrin masa urgjente për të krijuar një strukturë të specializuar psikiatrike mjeko-ligjore.