“Edhe në atdheun tonë ka luftë. Është luftë pa bomba. Një luftë për mbijetesë,” thotë 26 vjeçarja Kristina dhe burri i saj 24 vjeçar Luka (emrat janë të ndryshuar) – kjo është arsyeja pse ata erdhën në Gjermani dhe aplikuan për azil në verën e vitit 2015.
Ata erdhën nga Shqipëria: një vend i varfër në periferi të Evropës, të cilin Berlini, vjeshtën e kaluar, e kategorizoi si një “vend të sigurt origjine”, që do të thotë se qytetarët e tij kanë pak ose aspak gjasa për t’u pranuar si refugjatë.
Kristina dhe Luka e dinë këtë. Por ata nuk duan që të kthehen. “Asgjë nuk funksionon siç duhet në vendin tonë. Korrupsioni ka helmuar të gjithë vendin. Krimi i organizuar lë gjurmë kudo,” ankohen ata. “Politikanët nuk bëjnë asnjë përpjekje për të përmirësuar jetën e njerëzve. Ata bëjnë të kundërtën: po i përkeqësojnë gjërat e po vrasin gjithnjë e më shumë shpirtrat shqiptarë. Çdo ditë. Kjo është arsyeja pse kaq shumë njerëz po ikin nga sytë këmbët… ”
Rreth 52 mijë shqiptarë aplikuan për azil
Sipas Zyrës Federale për Emigracionin dhe Refugjatët të Gjermanisë, rreth 52 mijë shqiptarë aplikuan për azil në Gjermani nga Janari deri në Nëntor 2015, një rritje prej rreth 645 për qind nga viti i kaluar. Shqipëria renditet e dyta në listën e vendeve të origjinës së azilkërkuesve në Gjermani, menjëherë pas Sirisë . “Si mundem të jetoj në Shqipëri? Atje unë fitoja vetëm 80 euro në muaj,” thotë Kristina, e cili punonte në një call-center, pavarësisht se është mësuese e kualifikuar e anglishtes.
“Kurse unë punoja me kohë të plotë si barist. Paga ime ishte 180 euro në muaj ,” thotë Luka, i cili ka studiuar për shkencat e sportit. “Ne nuk kishim njohje. Nuk mund t’i jepnim ryshfet kujt, sepse nuk kishim para. Kjo është arsyeja pse nuk kemi pasur asnjë shans për të gjetur punë,” thonë të rinjtë shqiptarë, të cilët aktualisht jetojnë së bashku me 80 azilkërkues të tjerë në një ish-shkollë në një qytet në landin e Renit Verior-Vestfalisë.
Nuk ishte thjesht varfëria që i detyroi të lënë vendin e tyre. “Luka ka prejardhje nga Mali i Zi. Familja ime nuk i pranon ish-jugosllavët,” thotë Kristina. “Fakti që ai është dy vjet më i ri se unë gjithashtu i shqetëson shumë ata. Kjo është arsyeja pse ne u martuam fshehurazi dhe u larguam nga vendi.”
Gjëja më e mirë në Gjermani janë njerëzit
Dy të rinjtë shqiptarë janë në pritje të fëmijës së tyre të parë në muajin shkurt. Luka shpreson që çifti nuk do dëbohet dhe fëmija i tyre do të lindë në Gjermani. Sepse në Shqipëri, shërbimi shëndetësor është “katastrofë.” Ai thotë se kujdesi i mirë mjekësor ofrohet vetëm nëse u jep “dhurata” të shtrenjta mjekëve dhe infermiereve. Në dhomën e tyre, vetëm dhjetë metra katrorë, në strehimin e përkohshëm në Gjermani, ka tashmë shumë çanta me rroba për foshnje: dhurata të cilat i kanë mbledhur vullnetarët për çiftin e ri. “Gjëja më e mirë në këtë vend janë njerëzit. Unë kurrë nuk e kisha menduar se gjermanët ishin kaq të sinqertë dhe të gjindshëm,” thotë Kristina. Ajo dhe Luka janë të vetmit shqiptarët në këtë strehim – dhe e vetmja familje. Të tjerët – rreth 80 persona – janë sirianë, ose kështu thonë se janë, thotë Luka.
“Shumë prej tyre vijnë nga vende të tjera. Ata thonë që janë sirianë, sepse përndryshe mundësitë për leje qëndrimi këtu janë të pakta.” Jeta e përditshme nuk është e lehtë: ka vetëm dy soba gatimi për të gjithë 80 personat që ndodhen këtu. Ndërkohë ka zëra që flasin për vjedhje në vend strehimet e refugjatëve.
Shqipëria – vend i sigurt?
Ndërsa vetëm 0,2 për qind e azilkërkuesve nga Shqipëria janë pranuar në Gjermani gjatë vitit 2015, në vendet e tjera perspektivat për ta janë më të mira. Italia u ka dhënë azil rreth gjysmës së shqiptarëve; Franca ka pranuar gati 10 për qind dhe Zvicra rreth 12 për qind.
Pse atëherë, pavarësisht kësaj , ky çift erdhi në Gjermani? “Në Itali është e vështirë për të gjetur punë këto kohë për shkak të problemeve ekonomike. Ndërkohë, ne nuk na lejohet të udhëtojmë pa vizë për në Angli. Disa shqiptarë sigurojnë pasaporta italiane fallco, me të cilat udhëtojnë për në Angli. Kushtojë rreth 5 mijë euro. Ne nuk kemi kaq shumë para,” thotë Luka. Kristina mendon se është mirë që Kancelarja gjermane Angela Merkel ka hapur dyert e Gjermanisë për sirianët.” Por ajo gjithashtu duhet të mendojë edhe për refugjatët e Ballkanit, thotë ajo, sepse Shqipëria nuk është aspak një vend i sigurt i origjinës: “Askush nuk largohet nga vendi i vet pa arsye. Ne duam vetëm të jetojmë të sigurtë, të punojmë ligjërisht dhe të kujdesemi për fëmijën tonë. Mos po kërkojmë shumë?”
Shpresa nuk vdes kurrë
Që nga 1 janari i këtij viti qytetarët shqiptarë kanë të drejtë të fillojnë praktikë pune apo të punësohen në Gjermani, në qoftë se kanë një ofertë pune me kontratë të ligjshme dhe, nëse gjatë dy viteve të fundit, nuk kanë përfituar ndihmë sociale si azilkërkues. Ky rregull vlen edhe për qytetarët nga Bosnje-Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia. Por Kristina dhe Luka nuk presin shumë nga kjo gjë: “Për ne do të jetë gati e pamundur të gjejmë punë në Gjermani në këtë mënyrë. Ndoshta duhet ta flasësh shumë mirë gjermanishten dhe të kesh një vërtetim të mëparshëm që e bën të vështirë për ne.” Për më tepër, aplikimi nga brenda Gjermanisë është i pamundur – ata do të duhet të kthehen në Shqipëri më parë, thonë ata. “Për ne nuk ka asnjë shpresë tjetër perveçse të shpresojmë se nuk do të na dëbojnë,” thotë Kristina. Edhe në qoftë se kjo gjë duket jo realiste: “Shpresa nuk vdes kurrë.”